Aleksandër Çipa – Një hije skandali mbartet nga qeverisja në qeverisje
në Shqipëri. Të gjitha palët e arkivojnë dhe e konsiderojnë si një
“patate djegëse”, të cilën nuk e injorojnë, për shkak se “tremben mos
djegin duart”, por e përdorin për arsye e qëllime klienteliste dhe e
mbartin si të tillë, për t’ua lënë trashëgim pasardhësve.
Kjo hije skandali ka të bëjë me hartën e ndarjes administrative të vendit. Janë dhjetëra bashki, komuna dhe njësi të tjera administrative në këtë republikë që nuk disponojnë hartat e plan-projektet për sipërfaqen dhe kufijtë administrativë të tyre. Një skandal, i cili çuditërisht është mbajtur dhe mbartur i tillë, pa u bërë në asnjë moment publik dhe pa u shpallur, për t’u shndërruar në një proces hetimor prej organeve të Ministrisë së Brendshme, sektori i pushtetit vendor dhe organet e prokurorisë.
Kjo hije skandali konfirmohet prej shumë e shumë kryetarë bashkish dhe komunash. Sikundër konfirmimi çohet edhe më tej në zbardhjen e dimensionit real të skandalit kur pohojnë se në zyrat respektive të administratës dhe institucioneve të linjës mund të gjendet raporti përshkrimor për kufijtë ndarës administrativë, por mund të jenë zhdukur hartat dhe gen-planet që përcaktojnë ekzaktësisht ndarjen mes një hapësire administrative të një bashkie nga një komunë fqinjëruese apo njësi tjetër. Përshkruhen kufijtë dhe emërtimet kufizuese e kufitare, por nuk gjenden hartat e përcaktuara dhe të trashëguara nga administratat dhe qeverisjet e shkuara.
Në dukje kjo hije skandali mund të mos shkaktojë kaq alarm dhe tronditje, por hollë-hollë ai përbën një “kampion” të thellësisë reale të korrupsionit dhe mekanizmit të shtrirë të tij në fushën e pronësimit dhe tjetërsimit të pronësisë mbi trojet. Ky skandal i shfaqur deri më tash si “hije” e painvestiguar jo vetëm prej mediave, por së pari prej administratorëve të pushtetit vendor në vend, mund të jetë strumbullar i një serie skandalesh lokale dhe fqinjore mes njësive administrative në republikë. Kazuse të tilla, si ndërtimet e paligjshme në Butrint, në “qytetin e gurtë”, Gjirokastër, në rrëzë të Kalasë së Prezës në Bubq, afër Tiranës, në lagjet me vlera trashëgimie në Tiranë, Durrës, Korçë etj., etj., dhe sidomos në periferi ku ekzistojnë amfiteatro antikë apo objekte të tjera të historisë dhe trashëgimisë kombëtare, janë plotësisht dëshmi e papërgjegjshmërisë që buron prej administratorëve vendorë e periferikë dhe e barbarisë që buron prej mungesës së ndërgjegjes ligjore.
Natyrisht për zonat e preferuara bregdetare, për zonat kufitare në qendrat e mëdha urbane dhe sidomos në metropol, ky skandal ka peshën dhe dimensionin e një “ajsbergu”.
Pak ditë më parë, në shkrimin e vet “Shqipëria, kjo federatë fshatarësh?!”, botuar në javoren “Java”, kolegu Ben Andoni sillte të dhëna tronditëse nga situata e tmerrshme urbane e kryeqytetit: “Komunat që e rrethojnë Tiranën (thjesht janë lagje), veçse i kanë zhvatur pafund territor kryeqytetit, ndërsa i kanë dhuruar kaos. Respektivisht komunat e Dajtit, Farkës, Kasharit janë shkaktare të kësaj asfiksie të paimagjinueshme të kryeqytetit, që e jetojmë të gjithë. Njësoj në Durrës, Elbasan, Shkodër e gjetiu, kjo ndarje territoriale tani është kthyer në makth për buxhetin e shtetit dhe në parajsë për përfituesit. Reforma e munguar e ndarjes territoriale, në fakt, gati po merrte udhë në fillimvitet 2000, kur ndaloi papritur…”
Nën hijen e këtij skandali janë shpalosur dhe zbuluar kohë pas kohe skandale të shumta dhe tronditëse që kanë lidhje me mënyrën dhe vendimet e administratorëve të sipërfaqes dhe hapësirave administrative në njësitë e vendit. Këto skandale, që rëndom kanë të bëjnë me uzurpimet dhe lejendërtimet, me uzurpimin e hapësirave publike dhe tjetërsimin e pronësisë mbi to, që e bëjnë edhe më tronditëse problematikën e ndarjes së tokave dhe sipërfaqeve në nivel vendi, nuk kanë lidhje vetëm me hipotekat apo vendimet e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por së pari me krimin e trajtimit të mjedisit dhe hapësirës administrative.
Këto skandale, shumica e tyre ende të pazbuluara fatkeqësisht, kanë lidhje pikërisht me skandalin e madh të zhdukjes së hartave ilustruese zyrtare. Në një bisedë me kryetarin e Bashkisë së Himarës, zotin Gjergji Goro, më konfirmohet prej tij se kjo bashki, e cila përbën një aset të lakmuar për zhvillimin e turizmit në nivel kombëtar, por që nga ana tjetër është edhe një ndër “pikat” më të nxehta të problemit madhor të pronave, nuk disponon një hartë zyrtare të shënjimit të kufijve të hapësirës së saj administrative. Sipas tij, mungesa e kësaj harte kufijsh ka bërë të mundur që aty ku pretendohet dhe dihet se ndahet territori i Bashkisë së Himarës me Komunën e Lukovës, po vijon një batërdi ndërtimesh pa leje. Dhe është fjala për zonën ndarëse mes Borshit dhe Qeparoit apo edhe në anën veriore të kësaj njësie, në Llogora. Kjo mungesë nuk ka lidhje vetëm me këtë bashki, por ajo është e tillë për shumë njësi dhe zona të tjera.
Hija e këtij skandali shkon edhe më thellë, edhe më larg!
Kohë më parë, opinioni publik shqiptar u trondit nga disa pohime ushtarakësh dhe ekspertësh të hartave kufitare tokësore dhe detare për zhdukjen e dokumenteve që shënjojnë dhe faktojnë zyrtarisht kufijtë administrativë të republikës. Disa prej mediave e fokusuan këtë çështje dhe skandalin e pakzbuluar, duke shkaktuar një stuhi, e cila u ndërpre dhe u shua në mënyrë sa të çuditshme aq edhe gati mistike. Ky detaj mjafton për të nënkuptuar se skandali i hartave në këtë vend paska edhe dimensione më të frikshme nga sa janë bërë të njohura publikisht.
Tashmë kur qeverisësit e rinj të majtë janë shprehur me vendosmëri dhe programatisht për një rishikim të ndarjes administrative në vend, kjo hije skandali me dashje apo pa dashje do të rishfaqet sërish në publik dhe në debatin politik. Kjo “hije” nuk është thjesht një detyrim për ta arkivuar sërish skandalin “brenda saj”, por një nevojë serioze dhe me rëndësi kombëtare për ta trajtuar me përgjegjësinë e një administratoreje të një shteti që nuk e shtyn papërgjegjshmërinë e trashëguar deri në skandale të tilla dhe në rreziqe me shumë të panjohura.
Reforma territoriale do konsideruar si një aksion dhe nevojë kombëtar, në të cilin të baraspërfshihen të dyja palët politike, pa e politizuar dhe pa e shndërruar në ego dhe objekt të konfliktit politik. Për t’u realizuar kjo reformë imediate dhe për t’u mundësuar shmangia dhe shuarja e një skandali shumëvjeçar në administratën qeverisëse shqiptare, është çasti që shumica e re parlamentare dhe qeveria e re ta nisin nga administrimi i pasojave të njohura dhe të panjohura të skandalit me hartat e munguara administrative të vendit, duke u bazuar tek ekspertiza dhe ekspertët e harruar të vendit, te hartografët dhe sidomos specialistët e mirënjohur në këtë fushë në kohën e këtyre 23 vjetëve dhe në praktikat e mëparshme.
Top Channel