Përmirësimi i domosdoshëm i arsimit të mesëm

18/07/2013 00:00

Dorian Koçi – Arsimi është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të
një kombi, pasaporta integruese e tij në botën e qytetëruar ndaj
kërkohet që  ai të jetë sa më i përsosur dhe më i arrirë për të siguruar
jo vetëm një të ardhme të mirë e të qëndrueshme të fëmijëve tanë, por
dhe një përfaqësim dinjitoz të rinisë shqiptare në botë.

Arsimi krijohet përpara kombit dhe i paraprin procesit të ngjizjes dhe krijimit të tij, por është momenti kur krijohet shteti dhe lind përgjegjësia shtetërore që kujdeset për shtrirjen dhe mbarëvajtjen e tij në të gjithë vendin. Për shtete që kanë pasur një traditë të fortë konsolidimi ky proces përsoset dhe zhvillohet duke krijuar elita që udhëheqin vendin dhe që i bëjnë krenare në botë, kurse te ne për shkak të zhvillimeve të ndërprera të proceseve politike arsimi ka qenë i detyruar të ndjekë zigzaget e rënieve dhe rimëkëmbjeve të shtetit. Është e tepërt të përmendim vështirësitë e arsimit shqiptar ndër vite, por do të ishte e udhës të fokusohemi tek e sotmja, pasi ajo përgatit të nesërmen. Por si mund të ndërtohet një arsim sa më i aftë profesionalisht, sa më cilësor dhe me rezultate të drejtpërdrejta në të ardhmen e brezave të rinj? Sfidat si shikohen ndër vite, mbeten pothuajse njëlloj ashtu si dhe pyetjet fundamentale që duhet të marrin përgjigje.

Së pari dhe çka është më e rëndësishme, arsimi duhet të pastrohet sa më parë nga infeksionet e politikës dhe të shëndoshet për t’i dhënë më të mirën e mundshme në zhvillimin e vendit. Kjo është një sëmundje e vjetër që po i merr frymën arsimit shqiptar duke krijuar breza të rinj të rreshtuar në llogore politike dhe jo breza të rinjsh që do t’i kontribuojnë gjithë vendit. Për fat të keq, në këto zgjedhje që kaluan pamë deri dhe manipulim të imazhit të mësuesve përmes publicitetit elektoral, gjë që nuk e nderon arsimin shqiptar, por e kthen atë në një zgjatim të politikës. Një aspekt tjetër që mungon në pothuajse të gjitha përqasjet editoriale e deritanishme është respektimi i një kodi heshtjeje për të mos përmendur praktika dhe persona që me grykësinë e tyre intelektuale për famë dhe me grykësinë për të bërë para e kanë marrë në qafë arsimin bazë shqiptar, arsimin e mesëm. Fjala është për hartimin e kurrikulave, rekomandimin e librave që duhen lexuar, ndarjen e çmimeve letrare që tërthorazi ndikojnë në këto rekomandime që në një investigim të zakonshëm mund të shikosh që lëvizin brenda të njëjtit qark autorësh dhe të njohurish, duke mos lejuar konkurrencën e lirë dhe rritjen e cilësisë së teksteve dhe praktikave mësimore. Arsimi parauniversitar është hallka më e rëndësishme e arsimit bazë në vend dhe si i tillë ai duhet të jetë i mjaftueshëm për t’u siguruar të gjithë shtetasve shqiptarë njohuritë e duhura bazë dhe aftësitë e duhura për t’u përshtatur në një botë që vazhdimisht ndryshon. Po ai përmbush këto funksione bazë arsimi i mesëm sot në Shqipëri?

Për fat të keq jo, dhe një tregues janë shkallët e ulëta në renditjen botërore që mori Shqipëria në lexim, matematikë dhe shkenca, duke qenë nga fundi i tabelës dhe duke lënë pas vende si Katarin, Panamanë, Perunë, Azerbajxhanin dhe Kirgistanin. Sigurisht që kjo renditje e ulët manifestohet dhe në disa drejtime kryesore të arsimit të mesëm që përbëjnë gjithë problematikën e tij. Së pari, slogani “Shqipëria në moshën e internetit” është një slogan propagandistik, por që i përgjigjet realitetit. Shumë shkolla të mesme në Shqipëri vuajnë nga mungesa e infrastrukturës themelore si kemi parë kaq herë përmes pamjeve televizive dhe jo më që të jenë të pajisura me internet.

Së dyti, është propaganduar kaq shumë se nga viti i kaluar do fillonin leksionet në gjuhën angleze në fakultet shtetërore për të rritur cilësinë dhe ballafaqimin me arsimin botëror. Po si paraqitet situata e brezit të ri në këtë drejtim? Në shumë shkolla të mesme të rretheve ku nuk ka mësues të gjuhës angleze, këtë lëndë e japin mësues të lëndëve të tjera që duke mos pasur kualifikimin e duhur po rendin drejt provimeve shtetërore për të përftuar një diplomë në gjuhën angleze e në rastin më të keq vazhdojnë të jenë të pakualifikuar për të dhënë këtë lëndë. I famshmi altertekst ku mësuesit mund t’i zgjedhin vetë tekstet ka lënë shtigje abuzimi në kurriz të cilësisë dhe të nxënësve, pasi tenderi i zhvilluar nga Ministria e Arsimit ka synuar tekstet që janë më të lira sesa ato që janë cilësore. Në këtë kontekst mund të gjesh dhe tekste të shkollave të mesme shqiptare që përgatiten nga autorë të shtëpive botuese jo shumë të njohura dhe me pak eksperiencë në këtë drejtim, kur situata është ndryshe në vende të tjera të rajonit. Në Maqedoni dhe Kosovë prej kohësh ka vepruar një program ku tekstet origjinale(jo fotokopje) e Oxford University Press janë marrë në bazë të marrëveshjeve shtetërore me shtëpinë botuese të  këtij universiteti, me çmim të arsyeshëm që shkon me një kosto rreth 900-1000 lekë, kurse në Shqipëri, ministria jonë jo vetëm që s’ka qenë e mundur që të arrijë një marrëveshje të tillë, por ka lejuar të operojnë përfaqësuesit e këtyre shtëpive botuese që në bashkëpunim shumë herë me drejtoritë e shkollave kanë abuzuar me çmimet në kurriz të nxënësve shqiptarë. Kjo është për fat të keq një skenë e tërë korrupsioni e udhëhequr nga drejtues partiakë të shkollave që synojnë të mbushin xhepat në kurriz të të pambrojturve që janë nxënësit shqiptarë. E gjithë kjo situatë ka krijuar një amulli në arsim ku studentit shqiptar që s’arrin dot të marrë cilësinë e duhur, dhe kur arrin nëpërmjet një teksti cilësor e merr me një çmim shumë më të lartë sesa bashkëmoshatarët e tij në rajon dhe për më tepër i kërkohet që pas një arsimimi të tillë mediokër të arrijë dhe të marrë njohje të provimeve ndërkombëtare pas tre vjetësh, pasi ka mbaruar arsimin e mesëm! Sërish arsimi publik nuk arrin dot që të plotësojë kërkesat e duhura për t’u ballafaquar me kërkesa të tilla dhe studentët shtyhen drejt qendrave private ku sërish do u duhet të paguajnë kurset përgatitore për të plotësuar boshllëqet nga arsimi i mëparshëm. Përse nuk ekziston një studim se në ç’nivel është mësimdhënia dhe aftësia e studentëve shqiptarë për të qenë të mundur të arrijnë t’i përvetësojnë këto provime ndërkombëtare, apo për t’i dhënë gjasme vendit një lustër europiane futen një ditë të bukur duke krijuar vështirësira në sistem.

Së treti, Matura Shtetërore, e propaganduar si një sukses çdo vit po tregon se nuk po funksionon për shkak të kapaciteteve të ulëta kontrolluese ku në shkollat e mesme nëpër rrethe po merren rezultate më të larta për shkak të skandalit të kopjimit dhe shitjes së tezave të bëra kaq herë prezent në shtyp, duke penalizuar kështu nxënësit e shkollave të kryeqytetit. Po krijohen brenda sistemit arsimor dy standarde çka tregon papërgjegjshmërinë e atyre që menaxhojnë këtë proces, por dhe paaftësinë për të krijuar një sistem unik të besueshëm në të gjithë vendin. Cilësia e arsimit parauniversitar nuk përmirësohet me strategjinë e rritjes së numrit të vendeve në këtë vit elektoral dhe as me lëvizjet e shpeshta dhe të pajustifikuara të trupës mësimore, por me një vullnet dhe profesionalizëm që për fat të keq mungon.

Të tre problemet e mësipërme tregojnë mungesën e një strategjie të vërtetë për arsimin parauniversitar ku kryefjalën e zë propaganda sesa angazhimi i vërtetë profesional në këtë fushë. Shqipëria, si një vend i vogël që dëshiron të integrohet në Bashkimin Europian për fat të keq ende konkurron në tregun e punës vetëm me krahët e punës dhe shumë pak me ekspertizë të vërtetë. Kjo gjë sigurisht vazhdon të jetë dhe një nga problematikat e trashëguara nga ulja e cilësisë së arsimit në gjithë këto vitet, gjendje të cilën ne nëpërmjet ekspertizës dhe vullnetit duhet ta ndryshojmë. Moton e poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit “dhe drita e diturisë përpara do të na shpjerë”, duhet kuptuar dhe jo cituar herë pas here dhe vend e pavend, sepse jo vetëm që i bie vlera, por nuk arrin më të frymëzojë breza të rinjsh si më parë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA