Jobesimtarët, ja 6 llojet e ateistëve

17/07/2013 00:50

Sa mënyra ka për të mos besuar në Zot? Të paktën 6, sipas një studimi të ri. Dy hulumtues të Universitetit të Tennessee, në Chattanooga, zbuluan se ateistët dhe agnosticistët mbulojnë gamën e gjerë nga aktivistët e zëshëm anti-fetarë, deri te jobesimtarët, të cilët gjithsesi i respektojnë disa tradita fetare.

“Vëzhgimi kryesor është se mosbesimi është një komunitet ontologjikisht i larmishëm”, shkruan një student doktorature, Christopher Silver, dhe një student tjetër parauniversitar, Thomas Coleman.

“Këto kategori janë të parat në këtë lloj studimi, – tha Silver për uebsajtin “Raë Story”. “Ndoshta pas 30 vjetësh, mund të arrijmë në studimin e një tipologjie prej 32 tipesh”.

Ja 6 tipet e para të jobesimtarëve, të nxjerra pas një studimi me 59 intervista.

1) Ateist/Agnosticist intelektual

Ky tip i mosbesuesve kërkon informacion dhe stimulim intelektual rreth ateizmit. Ata preferojnë të debatojnë dhe argumentojnë, veçanërisht nëpër uebsajte popullore në internet. Ata janë gjithashtu të mirëpërgatitur me librat dhe artikujt rreth fesë dhe ateizmit, dhe priren t’i përmendin shpesh këto vepra.

2) Aktivistët

Ky tip i ateistëve dhe agnosticistëve nuk është i kënaqur thjesht me mosbesimin në Zot, ata duan t’i tregojnë të tjerëve pse e refuzojnë besimin dhe pse shoqëria do të ishte më e mirë, nëse të gjithë do të vepronim sipas tyre. Ata tentojnë të shprehen fuqishëm për cështje politike si të drejtat e homoseksualëve, feminizmin, zhvillimin dhe kujdesin ndaj kafshëve.

3) Kërkues-Agnosticist

Ky grup përbëhet nga njerëz, të cilët janë të pasigurt në lidhje me ekzistencën e Zotit, por janë mendjehapur dhe njohin limitet e dijes njerëzore dhe eksperiencës. Silver dhe Coleman e përshkruajnë këtë grup, si njerëz që ngrenë pikëpyetje rregullisht mbi besimin apo bindjet e tyre dhe “nuk mbajnë një qëndrim të fortë ideologjik”. Kjo nuk do të thotë se ky grup është konfuz, thonë kërkuesit. Ata thjesht përqafojnë pasigurinë.

4) Anti-teistët

Ky grup flet rregullisht kundër fesë dhe bindjeve fetare, zakonisht duke e pozicionuar veten e tyre si “diametralisht të kundërt me ideologjinë fetare”, shkruajnë Silver dhe Coleman. “Anti-teistët e shohin fenë si injorancë dhe çdo individ apo institucion të lidhur me të si të prapambetur dhe të dëmshme për shoqërinë. Anti-teistët kanë një arsyetim të qartë dhe ndonjëherë superior, sipas pikëpamjes së tyre, të limiteve dhe rrezikut të feve”. Anti-teistët janë të sinqertë, të devotshëm dhe ndonjëherë konfrontues rreth mosbesimit të tyre. Ata besojnë se “mangësitë e dukshme në fe dhe besimi duhet të adresohen agresivisht në një formë apo një tjetër”.

5) Jo-teistët

Grupi më i vogël mes këtyre të gjashtëve janë jo-teistët, njerëzit që nuk e përfshijnë veten e tyre as me fenë dhe as me të pafetë. Në shumë raste, kjo vjen si rezultat i apatisë apo mosinteresimit. “Një jo-teist thjesht nuk e shqetësojnë vetveten me fenë”, shkruajnë Silver dhe Coleman. “Feja nuk luan asnjë rol apo nuk ngre asnjë cështje në ndërgjegjen e tyre apo në pikëpamjen botërore. Jo-teistët nuk shqetësohen as për lëvizjet ateiste apo agnosticiste”. “Ata thjesht nuk besojnë dhe, në të njëjtin këndvështrim, mungesa e besimit të tyre nënkupton se mungesën e çdo gjëje fetare, të çdo forme, në hapësirën e tyre mendore”.

6) Ateistët ritualë

Ata nuk besojnë në Zot, ata nuk e lidhin veten e tyre me fenë dhe tentojnë të besojnë se nuk ka jetë të përtejme, por ky tip i gjashtë i mosbesuesve ende e shohin të dobishme mësimin e disa traditave fetare. “Ata i shohin këto tradita si, as më pak e as më shumë, mësime filozofike, se si të jetojnë jetën dhe të arrijnë kënaqësinë, e më pas rrugën për çlirimin e jashtëzakonshëm. Për shembull, këta individë mund të marrin pjesë në rituale specifike, ceremoni, organizime muzikore, meditime, klasa joge, apo tradita pushimi”. Për shumicën e këtyre mosbesuesve, besnikëria e tyre për ritualet mund të rrjedhë nga traditat familjare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA