Kapitulli i 35-të i Bashkimit Europian, në bisedimet me Serbinë, i cili titullohet “të tjera”, por që parashikon diskutimin e temave, që mund të dalin gjatë rrugës së Serbisë në integrim, do ta trajtojë Kosovën në rendin e ditës deri në fund të përmbylljes së procesit dhe anëtarësimit.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Stefan Fule, gjatë prezantimit të kapitujve të axhendës për fillimin e negociatave, ka theksuar se ky kapitull, në të cilin është edhe Kosova, do të hapet në fillim dhe do të mbyllet në fund të procesit. Megjithatë, ai ka saktësuar se integrimet dhe Kosova do të jenë dy procese paralele, të ndara.

“Rrjedha e normalizimit varet nga dialogu i drejtpërdrejtë mes Beogradit dhe Prishtinës. Pres që vendet anëtare, në bazë të propozimit të bërë nga Komisioni, të gjejnë mënyrën më të përshtatshme se si të drejtojnë normalizimin, siç është karakterizuar dhe nga Këshilli i Europës në dhjetorin e kaluar, si një proces i rrugëve paralele, pa bllokuar njëra-tjetrën dhe pa paragjykuar statusin e Kosovës”, tha Stefan Fule.

Kryeministri serb, Ivica Dacic, është shprehur optimist, se Serbia do të jetë anëtarja e 29-të e BE-së, ose e 28-ta, siç ka thënë ai, nëse deri atëherë ndonjëra nga anëtaret largohet. Ai ka theksuar se Serbia do të jetë e angazhuar në këtë proces.

“Ky është një kapitull, që i është shtuar asaj, që te ne quhet ‘të ndryshme’. Ashtu sikurse te ne, edhe te këta ndonjëherë ndodhin gjëra të rëndësishme. Është me rëndësi, që të sqarojmë se, platformën e bisedimeve të BE-së e përcakton BE dhe jo ne. Kurse ata e dinë qëndrimin tonë, se ne kurrë nuk do ta pranojmë Kosovën e Metohinë për shkak të anëtarësimit. Normalizimi me Prishtinën ka qenë kriter politik, për këtë status që kemi, por nuk presim formulime, që Serbia duhet të njohë Pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë, pasi nuk do të kishte kuptim”, tha Ivica Dacic.

Fule, ndër të tjera, ka kërkuar në emër të Kroacisë, që importet nga ky vend të jenë më të favorshme, pasi anëtarja e re e BE-së është larguar nga organizatat rajonale dhe kushtet ndryshojnë. Dacic ka thënë se është i lumtur, që tani flitet edhe për tregtinë, duhanin dhe sheqerin, dhe jo vetëm për Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA