Nuk do të ketë azil për asnjë qytetar të Kosovës, i cili provon të kalojë në mënyrë ilegale në shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Kjo u tha sot, në një konferencë të përbashkët të ministres së Integrimit Europian, Vlora Çitaku, dhe ambasadorit austriak, z. Johann Brieger.
“Kushdo që është nisur drejt Europës, me idenë se mund të përfitojë nga azili ekonomik, politik apo të ndonjë forme tjetër të diskriminimit, do të kthehet prapa në Republikën e Kosovës”, ka konfirmuar Vlora Çitaku.
Vetëm për vitin 2013 janë kthyer nga Austria drejt Kosovës 225 persona, 18 prej tyre vetëm gjatë fundjavës së 13 dhe 14 korrikut.
Që nga viti 1999, Austria e konsideron Kosovën si vend të sigurt, ndaj nuk do të njihen kërkesat për azil.
“Emingrantët do të detyrohen të largohen nga shteti ynë dhe nuk do të lejohen të kthehen në një afat prej 18 muajsh. Kurse në vendet e tjera të Shengenit, ndoshta edhe në afat më të gjatë kohor”, është shprehur Johann Brieger, ambasador i Austrisë në Kosovë.
Emigrimi ilegal, sipas ministres Çitaku, ndodh jo si shkak, por si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, mirëpo kërkimi i azilit nuk është opsion. Zgjidhja e vetme për qytetaret mbetet durimi. Serbia, duke qenë vend tranziti, vazhdon të mbetet një ndër problemet kryesore të këtij fenomeni.
“Serbia, ndonëse nuk është destinacion, por vetëm një vend tranzit, ka për detyrim që të asistojë organet e rendit, jo vetëm të Kosovës por edhe të Bashkimit Europian, që kontrollojë kufijtë dhe të luftojë këto rrjete kriminale”, tha Vlora Çitaku.
Bashkëpunimi i Republikës së Kosovës me EULEX, Interpol dhe Europol, është strategjia për parandalimin e një fenomeni të tillë. Ndërkohë që, sipas ministres Çitaku, ka edhe të arrestuar në lidhje me këtë çështje, por për shkak të ndjeshmërisë së hetimeve nuk mund të jepen informata të tjera.
Top Channel