Shndërrimi i FSK-së në ushtri është një proces i pandalshëm dhe i cili është duke na dërguar në drejtimin e duhur. Kështu ka deklaruar gjatë së hënës ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, pas takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ian Cliff.
“Ky është një proces i pandalshëm. Është një proces i cili është duke na dërguar në drejtimin e duhur, është duke ecur në dinamikën e duhur dhe nuk ka vend për brenga, apo për shqetësime dhe dikush ta konsiderojë këtë si zmbrapsje. Nuk është zmbrapsje, jemi duke punuar intensivisht me partnerët tanë ndërkombëtarë. Është një punë që po bëhet më shumë në heshtje”, ka deklaruar Çeku.
Deklarata e Çekut vjen vetëm pak ditë pasi drejtues të NATO-s kanë deklaruar se FSK ka përmbushur kapacitetet e plota operacionale. Çeku ka marrë përgëzime për arritjen e kapaciteteve operacionale nga ambasadori britanik, Ian Cliff, i cili ka thënë se Britania e Madhe e konsideron këtë si një hap shumë të rëndësishëm për Kosovën.
Ndërkohë, i pyetur se a është FSK e gatshme të bëhet ushtri, Cliff nuk ka dashur të shmanget nga detyra e tij si ambasador, duke thënë se nuk merret me çështje ushtarake dhe se kjo pyetje u duhet bërë ekspertëve.
“Unë jam ambasador. S’merrem me çështje ushtarake. Nuk mund te them se FSK në këtë faze është e gatshme për t’u bëre ushtri. Kjo pyetje u duhet bërë ekspertëve”, është përgjigjur Cliff.
Më 9 korrik Këshilli i Atlantikut të Veriut ka lëshuar deklaratën ku thuhet se: FSK ka arritur aftësinë e plotë operacionale dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të caktuara brenda mandatit të saj dhe standardeve të përcaktuara nga NATO, dhe se misioni i saj mbetet i njëjtë, për të kryer operacione të mbrojtjes civile.
Aktualisht qeveria e Kosovës është duke zhvilluar procesin e rishikimit të sektorit të sigurisë dhe më pas do të dilet me rekomandime për statusin e ardhshëm të FSK-së.
Top Channel