Gjykata e Apelit në Prishtinë ka shtyrë vendimin gjyqësor për ish-agjentin e SHIK-ut Nazmi Bllaca. Vendimi për rastin “Bllaca 3” pritet të shqiptohet të premten.
Bllaca akuzohet për vrasjen e ish-pjesëtarit të Shërbimit serb të Sigurimit shtetëror të Kosovës, Ibush Kllokoçi menjëherë pas luftës më 1999.
Bllaca është dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it në disa procese gjyqësore. Ai para katër vitesh foli hapur për veprimtarinë kriminale të Shërbimit Informativ të Kosovës, shërbim ky i afërt me partinë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Disa persona janë dënuar deri më tani si pasojë e dëshmisë së Nazmi Bllacës në dy procese gjyqësore. Procesi kundër tij konsiderohet si i treti në radhën e dëshmive dhe ka të bëjë me vrasjen të cilën Bllaca e kishte deklaruar qysh para katër vjetësh, kur kishte thënë se në vitet e pasluftës kishte shërbyer si agjent i SHIK-ut.
Vet Bllaca ka paralajmëruar se si pasojë e dëshmive të tij shumë shpejt do të fillojë procesi i katërt gjyqësor, në të cilën është i përfshirë edhe deputeti nga radhët e PDK-së, Azem Syla.
Top Channel