Rasti më i fundit i diagnostikuar me Hiv/Aids në radhët e bluzave të bardha ka detyruar Institutin e Shëndetit Publik të hetojë në ambientet spitalore, ku pacienti ka kryer ekzaminime më parë se të rezultonte pozitiv.
Por, specialistët e shëndetit publik përjashtojnë mundësinë e infektimit të pacientit në detyrë, ndërkohë që thonë se risku në radhët e tyre është i lartë ndaj shumë sëmundjeve infektive.
Silva Bino, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive, shprehet: “Rasti konkret nuk është një rast që merret me manipulime, është një rast që nuk punon infermier, në specialitetin e tij, por merret me një detyrë tjetër, që nuk e vë në kontakt me pacientët. E rëndësishme është të themi, pa ngritur alarmin, se ne jemi duke hetuar, sic bëjmë në përgjithësi duke hetuar cdo hallkë, ku pacienti apo pacientët kalojnë, pra cdo person, i cili shkon për të kryer një ekzaminim invaziv apo jo, personeli shëndetësor duhet të mbrohet sikur cdo njeri duhet të ishte jo vetëm Hiv-pozitiv, por edhe hepatit-pozitiv, apo i infektuar me sëmundje të tjera.
Risku i bluzave të bardha në vendin tonë bëhet më i madh shpesh jo vetëm nga neglizhenca e tyre për të përdorur mjete mbrojtëse, por se në ambientet spitalore mungojnë dorezat apo maskat, ndërkohë që ka mangësi në legjislacion për kujdesin e tyre shëndetësor.
“Masa bazë është përdorimi i dorezave, gjë që mungon në të gjitha mjediset tona shëndetësore. Shpesh herë mungon për arsye mangësie, herë të tjera sepse nuk i vihet vëmendje, duke anashkaluar rrezikun që i kërcënohet atij, shpesh herë kemi edhe raste shpimesh në personelin shëndetësor, i cili më pas vjen edhe kërkon dëmshpërblim, sepse është dëmtuar në mjedise spitalore. Gjëra këto që mund të parandalohen nëpërmjet marrjes së masave bazë: përdorimi i dorezave apo i maskave, i syzeve përkatëse kur kemi spërkla, i carcafëve prej letre në mjediset spitalore. Ne kemi mangësi në legjislacion në lidhje me kujdesin shëndetësor”, u shpreh Bino.
Po kështu, duhen respektuar kushtet higjenike për çdo aparaturë pasi ato mund të bëhen burim i përhapjes së sëmundjeve në popullatë. Bino shton se do t’i propozohet Ministrisë së Shëndetësisë të bëjë disa ndryshime në ligj lidhur me qartësimin e kujdesit shëndetësor pasi bluzat e bardha janë në kontakt me pacientë që bartin sëmundje të rrezikshme infektive, nga më të lehtat deri tek ato vdekjeprurëse.
Top Channel