Integrimi në fantazinë e artistëve

13/07/2013 00:00

“Një tjetër yll në qiellin  blu”. Kështu është konceptuar rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian nga artistët e rinj të cilët me fantazinë e tyre kanë shndërruar në postera këtë temë duke konkuruar ndërmjet tyre si dhe duke çelur dhe një ekspozitë  me mbështetjen e Qendrës së Informimit të BE-së në Tiranë.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi vlerësoi komunikimin e të rinjve nëpërmjet artit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Jam shumë i kënaqur që ne kemi këtë ekspozitë me postera në Qendrën e Informimit të BE-së e para e këtij lloji. Kjo tregon rëndësinë që ne i japim dy komponentëve të shoqërisë shqiptare, artistëve, intelektualeve dhe të rinjve, studentëve. Pra ne besojmë se këta komponentë mund të ndihmojnë shumë në çuarjen përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe të rinjve u them  të mos jenë vetëm arkitektë të talenteve të tyre, por arkitektë të së ardhmes”, tha ambasadori Sequi.

Sipas menaxheres së Qendrës së Informimit e BE-së, Vjosa Berisha me projekte të tilla synohet nxitje  e të rinjve drejt artit, por do bashkëpunohet edhe me shoqërinë civile edhe në fusha të tjera.

“Ishte një ide shumë interesante që na erdhi nga Qendra Kombëtare e Artit dhe e Kulturës. Pranuam që të bashkëpunonim, të ndihmonin si QKAK ashtu edhe Universitetin e Arteve që të organizojmë së bashku këtë konkurs ku morën pjesë një numër solid i të rinjve artistë jo vetëm nga brenda Shqipërisë, por edhe nga jashtë. Ishte një thirrje interesante dhe për ne është shumë me rëndësi sepse vetë tema lidhet me yllin që simbolizon Shqipërinë, rruga e Shqipërisë drejt integrimeve europiane mundohet të bëhet në forma të ndryshme”, tha Vjosa Berisha, menaxhere e Qendrës së Informimit të BE-së.

Në këtë ekspozitë të parë u ndanë çmime për fituesit, ku me çmim të parë u vlerësua posteri i punuar nga Adrian Grezda dhe çmim të dytë posteri i punuar nga Tan Kazazi.

Top Channel