Miratimi i ligjit për amnisti në Kuvendin e Kosovës, për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është edhe një gabim tjetër i këtij Kuvendi, pas ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Pas ratifikimit të marrëveshjes Thaci-Dacic, që u bë më 27 qershor, kjo është një goditje tjetër shumë e rëndë shtetit dhe Republikës së Kosovës, dhe madje jo vetëm ardhmërisë së qytetarëve, por edhe historisë së popullit tonë. Është projektligj kriminal, që e mundëson integrimin e Serbisë brenda shtetit të Kosovës, të cilin edhe më tutje Serbia nuk e pranon dhe nuk e njeh”, tha Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në kohën kur po votohej ky ligj, jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës protestohej nga shoqëria civile.
Për organizatorët e protestës, miratimi i projektligjit për amnisti është i papranueshëm dhe si i tillë, një dëm i madh për qytetarët e Kosovës.
“Fakti që ligji sot ka shumë gjasa, që t’i kalojë dy lexime menjëherë, tregon që këtu ka dicka kriminale, dicka të fshehtë, që kërkohet të bëhet, dhe sigurisht kjo është përmbajtja e ligjit, që edhe ne e kemi identifikuar si shumë të rrezikshme për Kosovën dhe të ardhmen e vendit”, tha Rron Gjinovci, nga shoqëria civile.
Kundër projektligjit për amnisti u shprehen edhe qytetarë pjesëmarrës në protestë.
Protestës i parapriu qëndrimi i një grupi të qytetarëve para Kuvendit të Kosovës nga data 6 korrik, me qëllim të sensibilizimit të publikut për dëmin, që mund të shkaktojë miratimi i projektligjit.
“Prej këtyre 5 netëve e 6 ditëve, që qëndruam këtu, kemi pasur shumë përkrahje, shumë njerëz na kanë vizituar e na kanë sjellë ushqime e pije, kanë nënshkruar edhe peticionin. E kemi vërejtur se njerëzit po e kuptojnë se sa i tmerrshëm është ky ligj”, tha Fisnik Ismaili.
Me iniciativë të organizatave të shoqërisë civile po nënshkruhet edhe peticioni kundër ligjit për amnesti, i cili deri tani ka mbledhur rreth 9 mijë firma.
Top Channel