Prishet ndërtimi në Llogara

11/07/2013 00:00

Bashkia e Vlorës dhe Inspektoriati Ndërtimor kanë nisur, që në orët e para të mëngjesit, aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Rreth orës 07:00, fadroma ka mbërritur në Qafën e Llogarasë, ku ka shembur plotësisht një ndërtesë dy-katëshe, e cila ishte ndërtuar pa leje.

Ndërtesa ka qenë objekt debatesh të forta dhe, nga sa mësohet, pronari i saj rezulton të jetë edhe kushëri i Edi Ramës. Ky i fundit, gjatë këtyre dy javëve, ka kërkuar me ngulm prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare, duke qenë një nga deputetët e Vlorës dhe iniciator i këtij aksioni të Bashkisë, duke bërë shembull të respektimit të ligjit edhe persona të afërm të tij.

Më pas, aksioni është zhvendosur në Pyllin e Sodës.

Në këtë zonë, Bashkia e Vlorës ka prishur 15 godina një-katëshe, të cilat ishin rindërtuar pas një aksioni të ngjashëm të kryer përpara zgjedhjeve.

Aksioni në fjalë u ndoq nga afër nga kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili dërgoi një mesazh për të gjithë ata që ndërtojnë pa leje.

“Dua të jap një mesazh që, krahas ndërhyrjes që po bën Bashkia e Vlorës në rajonin nr 4, dua të jap një mesazh të qartë për ndërtimet e paligjshme, që u prishën në rajonin nr 2, dhe u them atyre banorëve të mos kenë asnjë iniciativë për të rindërtuar, sepse Bashkia e Vlorës është e vendosur për të vazhduar këtë aksion deri në shtator, ndërsa pas këtij muaji kemi detyrë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për të përmirësuar hapësirat publike. Ne kemi një program të qartë për punën tonë. Të hënën do të vazhdojmë me një aksion të posaçëm për lirimin nga ndërtimet në Pyllin e Sodës dhe në plazhet publike”, tha Gjika.

E teksa ka mohuar të ketë qenë ai, autori i mesazhit të shpërndarë në Facebook, i cili paralajmëronte prishjen e një objekti në zonën e Ujit të Ftohtë, që flitet se është në pronësi të kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i pyetur nga Top Channel, nëse objekti në fjalë do të prishet, zoti Gjika ka dhënë këtë përgjigje:

“Objekti në fjalë është me leje ndërtimi. Kryeministri Rama ka ndërmarrë një projekt në lidhje me vijën bregdetare, dhe ne jemi duke punuar me një grup pune në lidhje me një studim dhe një konkurs të ri për vijën bregdetare, jo vetëm të qytetit të Vlorës, por deri në Sarandë. Sigurisht, nga grupi i punës dhe nga arkiva e specialistët e Urbanistikës së Vlorës, janë vënë në dispozicion të gjitha materialet që kemi, duke vlerësuar drejt për të rishikuar më mirë vijën bregdetare të qytetit të Vlorës. Në lidhje me objektet me leje, nëse do të gjykohet nga grupi i ekspertëve, që do të merren me menaxhimin dhe rishikimin e vijës bregdetare, që janë gabim, sigurisht që do të ndërhyhet”.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Gjika ka garantuar se këto aksione nuk do ndikojnë aspak te turizmi. Aksioni i nisur nga Bashkia e Vlorës pritet të vijojë edhe gjatë ditëve të tjera, ku deri më tani, fatmirësisht, nuk është shënuar asnjë incident i rëndë, me përjashtim të revoltave të ndonjë banori.

Top Channel