Në një veprim të paprecedent në historinë e mazhorancave të reja shqiptare, dy partitë kryesore të koalicionti fitues, PS dhe LSI kanë ngritur për herë të parë një grup pune për të rënë dakord për pikat e programit dhe prioritetet e qeverisë së re.

Por, a është kjo njëkohësisht edhe shenja e parë që midis dy partive kryesore ka edhe mospërputhje në program, për të cilat nevojitet që të gjendet një marrëveshje mes palëve.

Për këto dhe për të gjitha premtimet e realizuara në fushatë e mundësinë reale të zbatimit të tyre, Sokol Balla ftoi në studion e tij të “Top-Story” dy negociatorët dhe koordinatorët e secilës forcës, nga njëra anë Ilir Beqja i PS dhe si përfaqësues i LSI-së, ish-ministri i Jashtëm dhe i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto.

Përballë tyre u ulën një grup analistësh e ekspertësh, si Artan Hoxha, analist dhe ish-ministër i Ekonomisë në vitin 1992, Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe për herë të parë në studio, Gjergj Erebeara, redaktor i çështjeve ekonomike në gazetën “Shqip”.

Biseda mori shkas pikërisht nga një shkrim i bërë së fundmi në këtë gazetë, në të cilën kritikohej se programi për 300 mijë vende punësimi nuk ishte fort realist. Duke analizuar thelbin e këtij programi, Beqaj kundërshtoi idenë se ekzistojnë mospërthuthje mes dy forcave kryesore.

”Ne prej më shumë se 10 ditësh kemi krijuar një strukturë të përbashkët, e unë e Haxhinasto jemi koordinatorë të saj. Kjo është një strukturë që përfshin shumë ekspertë dhe programin e 300 ditëve të para, që do të shërbejë për të ndërtuar bazat e programit 4-vjeçar. Ju pyesni nëse ka që tani një nevojë koordinimi e lindur prej një mospërputhje programore. Unë besoj se nuk ka mospërputhje programe dhe këtë e them edhe duke parë dokumentat që u prezantuan gjatë fushatës. Nuk është fjala për një negociatë të mirëfilltë kjo ajo që po bëjmë, pasi ato kanë përfunduar që në kohën e përfundimit të marrëveshjes së Shkodrës. Këto reforma të 300 ditëve të para do të jenë shumë të rëndësishme për të arritur në dhjetor marrjen e statusit të vendit kandidat. Këto janë arsyet përse puna nisi menjëherë, me një angazhim të përbashkët për realizimin e objektivave”, deklaroi deputeti socialist.

Nga ana e tij, zoti Haxhinasto gjithashtu i mëshoi kësaj pike, që nuk ekziston asnjë mospërputhje reale në programet e secilës forcë politike. “Këtë herë, procesi ka qenë shumë më i konsoliduar përsa i takon përgatisjes së programit të përbashkët të qeverisjes. Siç e tha kolegu Beqja, kemi pasur një kartë parimesh të përbashkëta, që është miratuar dhe ku janë vendosur piketat politike, mbi bazë të së cilës do të funksionojë koalicioni. Ne kemi dy programe që u konfirmuan dhe morën mbështetjen e gjërë popullore. Programi i përbashkët do të ndërtohet e po ndërtohet mbi bazën e kartës së parimeve dhe parimeve që secila parti ka pasur. Konvergjenca mes të dy forcave tona është mbi të gjitha në objektivat që ajo do të arrijë, së pari në vlerësimin e situatës dhe së dyti në objektivat që duam të arrijmë e objektiv madhor i programit është ndryshimi i modelit ekonomik që ka Shqipëria dhe kthimi i vendit në normalitet, në një rritëm të ri të ecjes përpara”, komentoi Haxhinasto.

Përsa i përket mënyrës se si ky ndryshim do të arrihet, ish-ministri shtoi: “Sa i takon objektivave ekonomike, të dy partitë kanë objektiv madhor rritjen ekonomike me qëllim të madh punësimin e shqiptarëve. Kjo ka qenë ajo që kemi mbështetur gjatë fushatës dhe kësaj do i shërbejmë jo vetëm me modelin ekonomik që propozojmë, por edhe reformat e tjera që shkojnë drejt zhvillimit, rritjes e punësimit të shqiptarëve. Për këtë synojmë që të ndryshojmë modelin që deri tani është mbështetur tek shterimi i sektorëve të ndërtimit e remitancave, e zëvendësuar ato me një rritje dhe efikasitet më të madh të shfrytëzimit të burimeve natyrore, por për ta realizuar duhet një rol tjetër i qeverisjes dhe vetë shtetit”.

Ndërsa sheh gjëra pozitive në negocimin e një programi të përbashkët nga ana e dy forcave politike, Hoxha mbetet skeptik përsa i përket asaj që nga ana e PS dhe LSI konsiderohet si një përputhje e plotë. “Unë prisja nga koordinatorët që të na tregonin se si do të kalojnë ato ndryshime që kanë programet, pasi kemi qasje të ndryshme në lidhje me shëndetësinë, taksimin progresiv, taksimet personale, taksimet e kompanive dhe kemi edhe një vlerësim të ndryshëm të situatës në të cilën po e marrin vendin, me Partinë Socialiste që thotë se situata është e këtillë, sa që “Rilindja” do të thotë që jemi në një gjendje katastrofike, ndëresa LSI thotë që duhet të ecim më shpejt, e jo se skemi ecur. Këtë duhet të shpjegojnë koordinatorër, por në vlerësimin më objektiv, këto ndryshime në vlerësimin e gjendjes së Shqipërisë kanë rënë në sy gjatë fushatës dhe fushata është lënë pas”, deklaroi Hoxha.

”Në demokracinë shqiptare, nuk kemi pasur asnjëherë në formimin e një qeverie të re, një kabinet që është koalicion i dy forcave me peshë të qenësishme, por kemi pasur vetëm një parti të madhe e disa të vogla, ndaj kjo bisedë është pjesë e reflektimit të ri të politikës shqiptare me një peshë relative të forcave shumë më e ndryshme nga e shkuara”, reflektoi Hoxha.

Duke iu përgjigjur këtij vlerësimi, Beqja u përqendrua në shpjegimin e sistemit të taksimit, i cili sipas tij është shumë i ngjashëm në propozimin e secilës forcë politike.

”Divergjencat në programin tonë për taksimin janë një përceptim i formuar nga media. Dua të them që në fushatë, të dy partitë kanë folur për taksim progresiv vetëm mbi të ardhurat personale dhe besoj që janë dy pozicione shumë të rëndësishme, pra shprehja që do të ketë progresivitet në të ardhurat personale dhe jo në taksimin e koorporatave.  LSI ka evidentuar tre intervale në tatime, ne jo, por kur maxhoranca në largim në prill bëri ndryshime mbi sistemin tatimor, ne përfshimë në programin tonë idenë e etapave”.

Në vlerësimin e LSI-së, “kryesorja është që të mundësojmë pasjen e rritjes ekonomike, pasi kështu sjellim edhe arritjen e qëllimit tonë që është punësimi. Parimi i dytë, që është shumë i rëndësishëm dhe i përbashkët, është shpërndarja e ndershme e të mirave të krijuara dhe sigurisht është një proces që duhet të krijosh një herë vlerën e pastaj ta shpërndash në mënyrë të drejtë e të ndershme nëpërmjet taksës progresive, ndaj mendoj se ajo që është propozuar gjatë fushatës dhe ajo që po realizojmë bazohet në këto dy parime dhe i shërben rritjes së mirëqënies me një shpërndarje sa më të drejtë”, argumentoi Haxhinasto.

Në këtë bisedë ndërhyri zoti Erebara, i cili në program sheh një mospërputhje tjetër të madhe. “LSI nuk ka program kundër korrupsionit dhe kjo u bë e qartë para ca ditësh kur palët u takuan me Sekuinë dhe Beqja tha se në takim ishte kërkuar luftë e fortë ndaj korrupsionit, ndërsa Panariti u shpreh se thelbi i diskutimit kishte qenë procesi i integrimit”.

Megjithatë, sipas Haxhinastos, diçka e tillë është shumë larg të vërtetës. “Programi dhe oferta e LSI për zgjedhjet ka qenë shumë integrale, kemi paraqitur disa politika shumë konkrete, por absolutisht që në programin tonë është e shprehur shumë qartë qëllimi i forcimit të institucioneve dhe luftës ndaj korrupsionit, gjyqësorit dhe është shkruar shumë qartë diçka e tillë në programin tonë. Sa i takon komentit tim pas takimit me ambasadorët, besoj se e keni dëgjuar shumë mirë që thashë që në programin tonë të përbashkët do të kemi referencë të plotë tek 12 prioritetet që janë detyrat tona të shtëpisë që duhet të realizojmë drejt ecjes në BE e nëse i njihni këto prioritete, që tani janë më pak se disa janë realizuar, del qartë se një prej tyre është lufta ndaj korrupsionit. Kjo është një prej çështjeve më prioritare”, tha Haxhinasto.

Sipas Beqaj, “duhet të kuptoni se ne në qeverisje nuk jemi palë, por një e tërë dhe e vetme. Më duket normale që kur dy njerëz dalin nga një mbledhje, japin mesazhe për të mos përsëritur njëri-tjetrin”.

Në rolin e tij si kryetar i Dhomës së Tregëtisë, Zoti Jaka deshi të bënte një ekspoze të gjatë të situatës së tashme ekonomike të biznesit dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi. “Konstatoj dy fenomene për t’u përmendur. Zgjedhje që pas 22 vitesh, pas 3 ditësh harrohen e qytetarët e sipërmarrja i rikthehen punës dhe kjo është shumë pozitive. Fenomeni i dytë është krijimi i grupeve të punës, pra kemi dy forca politike që kanë qenë në aleancë, e kanë implementuar gjatë fushatës zgjedhore dhe kanë filluar me një precedent, ngritjen e grupit të punës për të hartuar platfoprmën apo modelin ekonomik të qeverisjes së re. Unë dua të ndaloj tek faza emergjencës, që janë sistemi fiskal apo probleme të tjera, por e para është marrja e informacionit, e situatës aktuale të shtetit, buxhetit, sipërmarrjes e qytetarit shqiptar”, deklaroi Jaka.

Sipas tij, “kjo është më e rëndësishmja për të hartuar planin e daljes nga emergjenca, pasi kjo nuk pret më kohë. Gjithmonë kemi pyetur cili është fati për shlyerje të detyrimeve, jo vetëm punëve publike, por tatimfitimi i parimbursuar, TVSH, akciza dhe njëkohësisht kemi të bëjmë me detyrime që akoma nuk njihen. Është e dhimbshme që sipërmarrja pret datën 12 tek thesari për të kryer veprimet e shlyerjes mujore pasi pas kësaj date biem viktimë e sistemeve dhe thesari nuk funksionon, edhe nëse do të ketë leke ky thesar nuk funksionon më e hapet në 1 të muajit tjetër. Përsa i përket sistemit të taksimit, ndonëse është propaganduar shumë, kemi qenë të tërhequr pasi kemi pasur paktin e dialogut të vazhdueshëm dhe në rastin konkret do të veçoja LSI-në, që ka qenë partneri real i sipërmarrjes në trajtimin e pikave të ngritura, por edhe në paktin e dakordësisë, që ka pranuar në tërësi të gjithë kërkesat tona”.

Në mbyllje të pjesës së parë të emisionit, Jaka dha edhe një vlerësim të tij mbi punën e deritanishme të qeverisë në largim. “Kryeministri Berisha meriton të vlerësohet për komunikimin e tij të vazhdueshëm dhe në këtë aspekt mendoj se roli i tij ka qenë tepër pozitiv, por problemi kryesor kanë qenë disa ministra që kishin kthyer institucionet e tyre në pashallëqe e nuk ishin prezent në komunikim, por kishin prepotencë dhe harbutëri që e kemi theksuar shpeh dhe asnjëherë shërbim e shërbesa”.

Sot është fakt që nuk ka një bilanc, nuk ka një inventar të shtetit shqiptar dhe për mungesën e tij deri më sot fajësohet qeveria në ikje. Situata është aq kaotike sa së fundmi po qarkullon edhe hipoteza e ngritjes së një auditi të huaj i cili do të zbradhte realisht se cfarë ka në depot dhe arkën e shtetit shqiptar.

Lidhur me këtë situatë, deputeti i PS-së, Beqja tha: Problemi është i madh dhe delikat në copëza. Një fakt i thjeshtë, e dhëna publike e fundit për pasqyrën fiskale të thesarit të shtetit është e muajit mars. Ministria e Financave ka patur një praktike që publikonte cdo muaj. Por që prej marsit, Ministria nuk tregon cila është gjendja e financave të shtetit. Sigurisht përpiqemi të marrim informacione të pjesshme, të bëjmë analiza për të kuptuar sa më mirë se cila është situata. Në qershor, sipas të dhënave që ne arrijmë të sigurojmë, tatimet dhe doganat s’kanë realizuar objektivin me 50 mln dollarë, në pesë muaj 150 mln dollarë. Duke vazhduar me këtë ritëm, gjykojmë që me këtë tendencë, pa ndërhyrje, gropa deri në fund të vitit do të jetë 400 mln dollarë. Në gjykimin tonë, në mënyrë të papërgjegjshme, brenda gjashtë muajsh janë shteruar më shumë se 90 përqind e tavanit të miratuar në ligjin vjetor të buxhetit për deficitin buxhetor. Është një sjellje jo vetëm e papërgjegjshme edhe ligjërisht. Mua më vjen keq që përsëritet ’97 nga të njëjtët njerëz, por sot po u them se nuk do të ketë më amnisti si në ’97, gjithsecili në fund do të mbajë përgjegjësi ligjore individuale. Vazhdon të shpërdorohen edhe pasuritë publike. Para 1 jave është dhënë një koncesion për një port jahtesh në Porto Palermo. Më 23 qershor shqiptarët e thanë që këta që janë sot të bëjnë vetëm punët e përditëshme dhe të mos bëjnë dëmë të mëdha. Bëhet fjalë për bregdetin, ku ka një studim dhe në Porto Palermo është dhënë një koncesion i pakërkuar, që do të thotë se vetëm ai që bëri kërkesën që i shkoi mendja se aty mund të bëhej një port jahtesh. Vazhdojnë të sillen në mënyrë skandaloze. Sot kam marrë vesh që MF po bën ankand për të shitur tokë publike, kur toka publike me ligj mund të përdoret vetëm për 2 gjëra, ose për kompensim prone, ose për banesa sociale. Dëmet krijohen edhe duke mos ushtruar funksionet e shtetit. Sot në Shëngjin janë kthyer nga peshkimi dy anije me flamur italian, që e kanë të paligjshme të gjuajnë me flamur të huaj, dhe lejohen nga roja detare, dhe për më tepër ajo që kanë gjuajtur është qerthulli i vogël, duke shkatërruar atë cfarë ka aty. Gjërat që po ndodhin përditë janë nga më të voglat deri gjëmat e drejtësisë. Për arsye profesionale, për nevojën për të ditur se cfarë ka ndodhur, kemi shtruar nevojën e një auditi ndërkombëtar.

Edhe Edmond Haxhinasto tha se LSI e mbështet këtë ide: “Edhe LSI ka mbështetur këtë ide. Mendojmë se askujt nuk ka pse t’i vijë keq nga transparenca që është një mjet i rëndësishëm për të arritur konkluzione për të hartuar politika sa më efektive. Ne kemi nevojë të përfundojmë disa reforma që janë nisur,që kanë të bëjnë me evidentimin e pronës shtetërore, që duhet të jenë procese të përfunduara, po kështu edhe me një inventar të plotë të mënyrës se si shfrytëzohet prona shtetërore. Të shikohet tërësia e këtyre të dhënave që vijnë nga shfrytëzimi i pronës shtetërore që të shikojmë efektshmërinë dhe të formulojmë politikat e tjera. Mendoj se duhet një përqasje e re në mënyrën se si koordinohen interesat publike dhe ato private, mënyrën si hartohen politikat zhvillimore të vendit duke patur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm që mund të sjellë sektori privat në angazhimin e rritjes ekonomike dhe rritjes së punësimit. Kjo është objektivi më madhor i programit tonë. Ne kemi propozuar si masë institcionale krijimin e një këshilli kombëtar ekonomik pranë kryeministrit që do merret me cështje të tilla dhe do të udhëzojë për cështje dhe detyra funksionale që edhe kanë munguar. Gjithcka që ne propozojmë sot, duhet në mënyrë ideale të mbështetet që të vendoset në një perspektivë sa më të gjatë. Duhet të ndryshojmë modelin ekonomik dhe për këtë ka nevojë për disa piketa të kalojnë afatin 4-vjecar dhe ka nevojë për një konsensus sa më të gjërë dhe kontribute sa më të gjëra nga të gjithë faktorët ekonomikë dhe intelektualë. Ne kemi propozimin tonë për rritjen e investimeve të huaja dhe të vendit me qëllim që të arrijmë të luajmë një rol të munguar të qeverisë, rolin rregullator dhe priotarizimit të sektorëve, apo drejtimit të investimeve në ato sektorë që sjellin rritje ekonomike dhe punësim më të madh.

Pyetjes së analistit Artan Hoxha se cfarë do bëjë qeveria e re për mjedisin e investimeve, a do ruhet një mjedis miqësor me biznesin, përfaqësuesi i LSI-së, Edmond Haxhinasto iu përgjigj: “Besoj që gjithcka që funksionon, që është e mirë dhe sjell një klimë më të mirë për biznesin nuk ka pse të ndryshohet. Mendoj se janë shumë gjëra që duhen bërë për mjedisin e investimeve. Disa masa prekin të gjithë sektorët janë parësore, korrupsioni, reformimi i gjyqësorit, që janë cështje që ngrenë cdo ditë investitorët e huaj, pagesa e TVSH dhe mosfinancimi i punëve publike nëpërmjet TVSH. Të gjitha këto janë masa të rëndësishme si dhe ngritja e kapaciteteve për të realizuar projekte të gatshme që sjellin rritje ekonomike dhe punësim. Ne e dimë që Shqipëria ka patur mundësi të jashtëzakonshme për të tërhequr investitorë të huaj, që kanë ardhur me ceqe të bardha dhe ne nuk kemi ditur t’i mbajmë. Ne duhet të shikojmë dhe të studiojmë akoma më mirë nismat që jepen sot në vendet e rajonit dhe i kemi mundësitë që të jemi shumë më konkurues, sa i përket investimeve të huaja. Kemi një avantazh gjeo-politik për të tërhequr shumë biznese, mes të cilave edhe atë fason.

Ndërsa deputeti socialist, Ilir Beqja shtoi: Që nga formimi i koalicionit, palët kanë rënë dakort për ndërmarrjen e masave të përbashkëta. Sigurisht që është e domosdoshme që t’i kthehemi rritjes së prodhimit të brendshëm. Se cfarë është bërë deri në qershor, këtë do ta konfirmojë auditimi, ndërsa impaktin që pati tek qytetarët e pamë më 23 qershor. Lidhur me lehtësimin e marrëdhënieve me biznesin, bashkimi në një administratë të vetme i tatimeve dhe doganave, edhe shkrirja e administratës së taksave lokalë në këtë administratë do të lehtësojë komunikimin e biznesimit me trupat kontrolluese.

Lidhur me nismën, “Shqipëria 1 euro”, kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka tha se ajo ka dështuar sepse është trajtuar në mënyrë preferenciale. Jaka vuri theksin tek rëndësia e sektorëve që krijojnë realisht punësim, ku përmendi biznesin fason dhe atë të “Call Center”.

Koordinatori i PS-së, Ilir Beqja dhe se gjithë këto, bashkuar me nismat e tjera dhe reformat e duhura, kryesisht në sektorin e pasurive natyrore, pasurive nëntokësore, industrisë së peshkimit dhe mundësisht zonësmes dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë që të trajtohet si një e vetme në energji, turizëm dhe zhvillim rural. Këto elementë, tha Beqja, zgjerojnë tregun dhe krijojnë vende të reja pune. Beqja ripërsëriti premtimin e programit të opozitës për zero tatim-fitimi në energji dhe agro-përpunim në 4 vitet e para. Të gjitha këto, shtoi deputeti i PS-së, duhet të shërbejnë si një sinjal për të gjithë investitorët e vëmendshëm për të parë që ky është vendi ku ne synojmë të orientojmë biznesin dhe investimet.

Beqja shtoi se gjithë këto lindin edhe nevojën e reformimit të sistemit arsimor, sepse konstatohet që ka probleme me fuqinë punëtore të kualifikuar dhe sektorët që potencialisht duhet të ishin prioritarë.

Një nga kërkesat kryesore të biznesit drejtuar shtetit është krijimi i bankës ekonomike. Pyetjes së kreut të Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka nëse qeveria e qendrës së majtë do të krijojë një bankë të tillë, Haxhinasto dhe Beqja iu përgjigj se kjo pikë është ende në fazë diskutimesh mes PS-së dhe LSI-së dhe se brenda javës së ardhshme do të ketë një vendim më të qartë.

Gjatë fushatës, PS premtoi hapjen e 300 mijë vende të reja pune, ndërsa LSI foli për 200 mijë të tilla. Por sa vende të reja pune do të happen?

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim shifrën e dhënë nga PS dhe të bëjmë gjithcka që është e mundur për të realizuar këtë shifër. Unë besoj që ne duhet t’i vendosim të zgjedhim ato politika dhe atë model që garanton një punësim të vazhdueshëm dhe të qendrueshëm për shqiptarët dhe nëpërmjet asaj të ndryshojmë një situatë që është problematike. 70 përqind e shqiptarëve sot thonë se problemi kryesor është papunësia. Për ne ky është objektivi kryesor dhe cfarë keni dëgjuar sonte, ka pikërisht këtë synim”, tha zoti Haxhinasto.

“Cfarë kemi përcaktuar në program dhe vota e 23 qershorit na bën shumë më të vendosur për të mbajtur premtimet dhe angazhimet pikë për pikë. Nuk bëhet fjalë as për ndjesë dhe as për ironi. Janë të shkruara si do të happen 299 mijë vende pune, në bujqësi, turizëm, manifakturë, industria e detit e me radhë”, shtoi koordinatori i PS-së, Ilir Beqja.

Lidhur me shëndetësinë, Partia Socialiste është zotuar për një shërbim falas për të gjithë qytetarët, dhe në këtë pikë nuk dihet si kanë rënë dakort palë. Pyetjes nëse do ketë sigurime shëndetësore apo jo dy koordinatorët iu përgjigjen:

“Kemi një problem themelor. LSI ka si qëllim mbulimin e gjithë popullatës me sigurime shëndetësore. Në programe, instrument kemi patur ne sigurimin me rezidencë, ndërsa LSI me kontribute të detyrueshme shëndetësore. Qëllimi është i përbashkët, qasja është ndryshe. Këto ditë jemi marrë me shëndetësinë dhe jemi të vetëdijshëm që është reforma më e madhja që është ndërmarrë në këtë sektor. Përfundimi do të bëhet me 1 janar 2017 sepse jemi të vetëdijshëm që kjo ka nevojë për shumë parakushte dhe sistem informacioni të plotë dhe nevoja për investime në institucionet shëndetësore. Brenda mandatit besojmë se do të realizojmë premtimin që shërbimi shëndetësor të bazohet vetëm me kushtin e rezidencës në Shqipëri”, tha Beqja.

“Qëllimi është i përbashkët. Ne e kemi shprehur që do të dëshironim një sistem sic është por duke rritur bazën e kontribueseve dhe nëpërmjet saj të realizohet një shërbim më i mirë për qytetarin. Përderisa qëllimi është i përbashkët, mjeti është i dorës së dytë. Ajo që është e rëndësishme është se ne kemi identifikuar atë masa të cilat japin ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e sistemit shëndetësor të shqiptarëve. Mendoj që e rëndësishme këtu është forcimi i diagnostimi i hershëm për parandalimin në kohë të sëmundjeve. Kontrolle falas ose me cmime modeste dhe në spitale të mos mungojnë barnat. Brenda 300 ditëve të mos mungojnë barnat dhe ilacet”, shtoi Haxhinasto.

Një tjetër pikë që duket se ndan PS dhe LSI është edhe niveli i borxhit publik. Pyetjes se sa është objektivi i qeverisë së re për të mbajtur këtë borxh, Beqja tha se ai është sa më i ulët. Ndërsa Haxhinasto foli për mundësinë e thërritjes së FMN-së për asistencë pranë qeverisë.

“Ne përfitojmë nga një marrëdhënie më intensive me FMN. Sigurisht mënyra e kësaj marrëdhënie mbetet për t’u përcaktuar. Shqipëria ka kaluar shumë dallgë dhe stuhi në cështjet financiare dhe mendoj se një marrëdhënie me intensive me FMN do të ishte e nevojshme”, tha Haxhinasto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA