Po tani cili do të na e ketë fajin?

11/07/2013 00:00

Fatos Baxhaku – Në Vlorë, të paktën para do kohësh rrëfehej kjo
barsoletë. Dy shokë të ngushtë e kishin bërë zakon që të pinin kafen e
mëngjesit gjithmonë bashkë e gjithnjë në të njëjtin klub të lagjes. Një
ditë prej ditësh njëri prej të dyve po rrinte turivarur.

Ishte krejt i dërrmuar. Dukej sheshit që diçka e rëndë i kishte ndodhur. “Pa më thuaj ç’të ka ndodhur! Jemi apo nuk jemi vëllezër xhanëm!?”, i drejtohet shoku i merakosur. Porse fatkeqi, në fillim, refuzonte të tregonte se çfarë i kishte ndodhur një natë më parë. Bam e bum e bum e bam, ky muhabet vazhdoi nja dy orë të mira. Si u rrëkëllyen disa kupa me raki të fortë Sevasteri, më në fund fatkeqi vendosi të rrëfehej: “Gruaja dje e dinte se unë isha me shërbim. Shërbimi u anulua. Kur u ktheva në shtëpi e gjeta gruan në shtrat me një tjetër. Hall i madh byrazer”. A e dini si reagoi shoku? “Jo more jo, edhe këtë punë ta bëri Saliu!”, protestoi ai fuqishëm.

Vetë vlonjatët e mençur qeshin me ata, të cilët të gjitha të zezat e kësaj dynjaje ia vishnin Berishës. Në fakt, ka do kohë, madje edhe tani pas zgjedhjeve, që të gjitha të zezat që kemi kaluar të kërkoheshin tek ish-kryeministri. Çatia e prishur, biznesi që nuk ecte, djali që nuk shkonte mirë me mësime, shëndeti i plakës që lëngonte nga dhimbja e kockave, gropat në rrugicën e lagjes, madje edhe çatia që pikonte, mor po edhe gruaja që të refuzonte në shtratin martesor, të gjitha këto kishin një fajtor të vetëm: Berishën. Aq shumë u përhap kjo mënyrë të menduari saqë u bë parullë kryesore e kampit opozitar gjatë zgjedhjeve. “Të rrëzojmë Berishën”, ishte parulla kryesore. Vini re këtu përdorimin e fjalës “rrëzim” në vend të fjalës “mund” ose “mposht”.

Ky lloj qëndrimi, i të kërkuarit të gjërave që ecin ters te një njeri i vetëm duhet ta ketë një shpjegim. Gjëja më e parë që na shkon ndër mend është kultura jonë e mangët demokratike, ose më saktë lidhjet anadollake mes liderit dhe masës së gjerë. Sa kohë që kishim beun mbi shpinë ai ishte përgjegjës qoftë për tersin qoftë për mbrothësinë e kësaj bote. Ne nuk duhej, dhe nuk kishim përse të mendonim gjatë. Kishte kush mendonte për ne. Pak a shumë kështu edhe ndër anët e Veriut, ku bajraktari dhe pleqtë vendosnin për të tjerët, me ndonjë përjashtim sigurisht. Pastaj përgjegjësinë për të na e hequr edhe atë pak aftësi për të menduar që na kishte mbetur e mori përsipër Enver Hoxha. A mund të mendonte njeri më gjerë, më gjatë, më shkoqur se ai? Të mësuar kështu, me marrëdhënie servile me pushtetin dhe njeriun që e përfaqëson atë më së miri, ne këndellemi paq kur punët shkojnë mbroth dhe egërsohemi, prishim gojën dhe ligështojmë zemrën duke sharë mbarë e prapë “Atë”, pavarësisht se si quhet, kur punët nuk na shkojnë mirë.

Për hir të së vërtetës, ka qenë vetë Berisha që e ngriti këtë kultin e admirim-urrejtjes ndaj tij. Formimi, karakteri, statura, vullneti i paparë, forca fizike, karizma, tendenca për të grumbulluar gjithçka në duart e tij, prirja për të deklaruar çdo sukses si fitore personale, logjikisht që e bëjnë deri diku edhe fajtor për gjërat që nuk kanë shkuar mirë.

Për pak kohë do të kemi një qeveri të re. Do të shohim e do të flasim. Sigurisht që shkojmë me shpresën se gjërat do të shkojnë më për mbarë për të gjithë shqiptarët anë e kënd, porse sigurisht që do të ketë edhe përmbytje, shira, thatësira, punë që ecin e punë që ngecin. Gjysheve sërish do t’u dhembin kockat dhe shumë gra do të tradhtojnë burrat dhe anasjelltas. Çfarë do të bëjmë tani që nuk kemi përse të fajësojmë Berishën? Do të përdorim të njëjtën barsoletë vlonjate edhe për Edi Ramën, apo ka ardhur koha për të vënë mend, meqë kemi nisur të ëndërrojmë ca si shumë Europën?

Ka ardhur koha që vërtet të kërkojmë llogari nga ata që kemi zgjedhur të na drejtojnë, madje me rreptësi dhe deri në fund, por ama ka ardhur koha që secili t’u përgjigjet detyrimeve që ka si qytetar i këtij vendi. Ankohemi se shumë herë fshatrat dhe qytetet tona mbushen me plehra. Akoma më keq tani në kulmin e sezonit turistik. Të parët që ankohen janë pikërisht ata që hedhin lëkurët e shalqirit në shtëpinë apo në çadrën e fqinjit. Po për këtë cili na e ka fajin Berisha apo Rama, apo dreqi vetë? Ankohemi dhe bëjmë potere se kemi një administratë të korruptuar. Të parët që bëjnë potere janë pikërisht ata që, si me lezet i fusin një shuk me lekë gjyqtarit, mjekut, mësuesit duke i thënë në mënyrë të zgërlaqur prej Huria Hipi: Një gjë e vogël për mirësinë që na bëtë… Ankohemi se aksidentet rrugore po bëjnë kërdinë duke e kthyer Shqipërinë gati-gati në një vend të luftës shqiptaro-shqiptare. Zyrtarisht 176 të vdekur vetëm në muajt e fundit. Pikërisht ata që nuk hipin në makinë pa tre dopio raki, bash ata ankohen se nuk bëhet shtet. Bash ata nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të presësh këmbësorin në vizat e bardha. Po për shoferët e dehur cili na e ka fajin, Berisha, Rama, apo vetë rakia?

“Nuk bëhet ky vend. Nuk ka shtet që të punojë!”, cili prej nesh nuk e ka dëgjuar të paktën dhjetë herë këtë ofshamë primitivo-djallëzore. Në fakt nuk është një protestë, është në thelb një dëshirë e fshehtë. Njerëzit që ankohen kështu nuk duan që të ketë shtet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Autori i këtyre radhëve e ka dëgjuar një herë në një fshat të largët në një ditë të ftohtë dimri. Një burrë pretendonte se vendi nga kalonte rruga që lidhte disa fshatra të krahinës së tij ishte pronë që ia kishin lënë gjyshërit. Kështu që kishte vendosur një goxha tra mbi rrugë. Një tabelë “pronë private” bënte me dije se pronari e kishte me gjithë mend këtë punë. Njësoj si në Mesjetë, që të kaloje matanë duhej të paguaje më parë taksën e rrugës. I njëjti burrë, bashkë me shumicën e burrave të fshatit, kishte nisur të pinte raki, të shoqëruar me kuti sardelesh që në orët e para të mëngjesit. Rreth sobës së tymosur, burrat hidhnin kupa dhe psherëtinin me mund, duke tymosur fort cigaret erërënda me të dredhur: Ky shtet na harroi krejt more burra! Ndërkohë gratë e fshatit mblidhnin shkarpa lart e poshtë mbi një peizazh të lënë që kush e di prej sa kohësh krejt djerrë. E bukur perspektivë europiane kjo e këtyre burrave që ankoheshin për shtetin që mungonte, duke shpresuar pikërisht të njëjtën gjë.

Për fat, ka edhe miliona shqiptarë të tjerë që kanë përveshur krahët me kohë pa pritur që mrekullia t’u vijë sikurse u vinte rajave fermani i sulltanit. Këta nuk kërkojnë fajtorë për të fshehur në mënyrë hipokrite të këqijat e shumta të këtij vendi, por mundohen t’i rregullojnë vetë ato. Pikërisht kjo pjesë është e ardhmja e Shqipërisë europiane. Politika, nëse ka mend duhet të motivojë këtë pjesë të shoqërisë, ashtin e saj të mbarë, pjesën që do punën, kulturën, artin, djersën e ballit. Nëse kjo nuk ndodh, sikurse ka ngjarë deri më tani, atëherë mjerë Europa se ç’kanë për t’i parë sytë e dëgjuar veshët…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA