Qeveria e Kosovës është e përgatitur që të fillojë sa më shpejt
negocimin e Marrëveshjes për Stabilizimi-Asociim, tha të enjten
kryeministri Hashim Thaçi, gjatë hapjes së takimit në dialogun Kosovë-BE
për këtë proces.

Sipas shefit të qeverisë, Prishtina zyrtare që në muajin shkurt 2013 ka miratuar strukturën negociuese dhe tani po punon për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të saj.

“Para nesh janë shumë sfida, por ato nuk janë të patejkalueshme”, deklaroi Thaçi i cituar nga “REL”.

Në fjalën e tij, kryeministri tha se reforma e administratës publike vazhdon të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe shtoi se, pas miratimit të pakos legjislative në fushën e administratës publike ka nisur procesi i ristrukturimit të institucioneve qendrore dhe lokale.

Ai paralajmëroi gjithashtu se nga 1 janari do të fillojë zbatimi i sistemit të ri të pagave. “Sistemi i ri do të inkurajojë ngritjen e performancës dhe meritokracisë në shërbimin civil”, nënvizoi Thaçi.

Në takimin e katërt të Dialogut të Procesit për Stabilizim-Asociim, shefi i qeverisë përsëri përshëndeti vendimin e liderëve të shteteve anëtare të BE-së që në bazë të rekomandimit të Komisionit Evropian të dorëzuar në prill hapën rrugën për fillimin e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Zgjedhjet, siç tha kryeministri Thaçi, janë një nga temat që sigurisht do të vazhdojnë të jenë subjekt i axhendës së reformave.

Top Channel