Dalin në pah efektet negative të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë.
Qytetarët e Kosovës tashmë e kanë më të lehtë të largohen nga Kosova, pasi kufiri me Serbinë kalohet në mënyrë legale, për të cilën nuk ka nevojë të paguhen trafikantët, ndërsa pjesa ilegale fillon në Serbi.
Kështu, të paktën, e arsyeton ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, emigracionin në rritje të kosovarëve. Ai nuk pranon, që qeveria e Kosovës ka dështuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të vet, duke thënë se për pak kohë nuk mund të bëhen mrekulli.
Këto komente, ministri Rexhepi i bëri pas një takimi me ministren e Integrimit Europian, Vlora Çitaku, dhe autoritetet e rendit.
“Qeveria e Kosovës dyshon se qytetarët e saj bien prè e një rrjeti ndërkombëtar të trafikimit të qenieve njerëzore”, tha Bajram Rexhepi.
Ministrja e Integrimit Europian, Vlora Çitaku, kujtoi që azili është armiku më i madh i liberalizimit të vizave dhe se vendet e BE-së kanë ndërprerë praktikën e dhënies së azilit.
Në të njëjtën kohë, ajo ftoi qytetarët, që të mos ikin në mënyrë ilegale, sepse vizat do të liberalizohen shumë shpejt. Çitaku njoftoi se, këtë të mërkurë, do të kthehet një autobus me kosovarë nga Austria.
“Mirëpo është e qartë se dikush nga Kosova nuk shkon dot deri në Hungari, pa qenë pjesë e një rrjeti të organizuar ndërkombëtar. I ftoj që të kenë durim edhe pak, ne po punojmë shumë, që të përmbyllim përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve karshi procesit të liberalizimit të vizave, në mënyrë që ata dhe famijet e tyre të jenë të lirshëm të lëvizin në Europë”, tha Vlora Çitaku, ministre i Integrimit Europian.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në Hungari aktualisht qëndrojnë katër mijë kosovarë, ndërkaq destinacionet e tyre kryesisht janë vende si Franca apo Suedia.
Top Channel