Nën masa të shtuara të sigurisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndryshoi raportin e mandateve në qarkun e Lezhës, ku mandati i katërt i së majtës, pas miratimit të tabelës përfundimtare i kaloi koalicionit të udhëhequr nga PD.

Ky vendim, që ndryshoi rezultatin e njohur të deritanishëm të Lezhës, erdhi pas vendimit të KQZ për të përfshirë në rezultatin final të këtij qarku të dhënat e sistemit elektronik për 10 qendra votimi, tabelat e të cilat nuk ishin origjinale, por fotokopje që gjithësesi ishin të vulosura dhe nënshkruara nga të gjithë anëtarët e ZAZ-së së këtij qarku.

Mbi këtë argument dhe mbështetur në Kodin Zgjedhor për mënyrën sesi përpilohet rezultati i një qarku, të majtët në KQZ kundërshtuan proçedurën e ndjekur institucioni më i lartë i zgjedhjeve. Nëse shifrat e këtyre tabelave ishin të manipuluara, siç u pretendua, kjo duhej të provohej sipas tyre në një proces ankimor.

Përpos kësaj, vendimmarrja për Lezhën krijoi edhe një tjetër preçedent të panjohur më parë në KQZ, atë të përdorimit të të dhënave të sistemit elektronik si të dhëna zyrtare, për saktësinë e të cilave ish-anëtari i KQZ-së, tani përfaqësues ligjor i LSI-së, zoti Ilirian Muho ngriti pikëpyetjen.

“Në ditët e para të numërimit të votave edhe sistemi elektronik bënte këtë ndarje mandatesh 4 me 3 për të majtën, përse pas disa ditësh po nga sistemi ky raport ndryshon?”, u shpreh Muho.

Në një kohë që Kodi Zgjedhor nuk e parasheh në asnjë nen të tij bazimin mbi të dhënat elektronike të sistemit për hartimin e tabelës përfundimtare të rezultatit, për të majtët kjo do të përbëjë në vetvete një kërkesë ankimore.

“Sistemi siguron një rezultat paraprak dhe besoj se vetë terminologjia e përdorur është një rezultat i cili nuk mund të përdoret si një dokument zyrtar përfundimtar. Fatkeqësisht KQZ-ja edhe në këto ditë të përfundimit të procesit nuk iu nda pasionit për t’i shërbyer opozitës tashmë, pra PD-së. Ajo që ne do të bëjmë është që këtë problematikë dhe problematika të tjera, të cilat ne i kemi konstatuar në qarkun e Lezhës do t’i bëjmë prezente përmes ankimimit. Ekzistojnë elementë të cilët besoj që duhet të marrin vlerësimin edhe në këndvështrimin e pavlefshmërisë”, deklaroi përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj.

Por problematika e qarkut të Lezhës për këto zgjedhje nuk mbaron me dhjetë qendrat e votimit që i përkasin qytetit të Lezhës. Të majtët deklarojnë se do të ankimojnë qendrat e votimit në Mamurras dhe Laç, pas indicieve për ndërhyrje të paligjshme si pasojë e të cilave,  koalcioni  i udhëhequr nga Partia Demokratike rezulton fitues në masën 90% të votave. Kjo rrit mundësinë që qarku i Lezhës të shkojë në ripërsëritje të zgjedhjeve.

“Po hetojmë dhe janë të tëra mundësitë që Lezha të shkojë në pavlefshmëri, bazuar mbi informacionet tona që do t’i bëjmë publike në kërkesa ankimore”, u përgjigj përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj.

Sipas miratimit të tabelës përfundimtare të Lezhës nga KQZ, mandati që deri tani i përkiste socialistit Arben Noka i kalon kandidatit të PD Vasil Bici, por mesa duket fjalën përfundimtare për këtë mandat do ta ketë Kolegji Zgjedhor.

Top Channel