Kosova vazhdon të importojë ndjeshëm më shumë mallra nga Serbia, krahasuar me eksportet e saj në këtë vend.

Statistikat për tregtinë e jashtme, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës për muajin maj japin një pasqyrë pothuajse të njëjtë me të kaluarën për sa i përket tregtisë së jashtme dhe partnerëve kryesorë tregtarë të Kosovës.

Përqindja më e madhe e importit është nga Serbia me 11.2 përqind e pasuar nga Italia, Gjermania, Turqia, Kina si dhe Maqedonia.

Shqipëria, ndërkaq nuk figuron fare në mesin e gjashtë vendeve që më së shumti importojnë në Kosovë.

Por, sa i përket eksportit kosovar, atëherë Shqipëria radhitet e dyta pas Italisë. Sipas të dhënave për këtë muaj Kosova ka eksportuar drejt Shqipërisë 15.5 përqind të mallrave.

Sipas të dhënave muaji maj rezulton me një deficit tregtar më të ulët, çka do të thotë se Kosova ka shënuar rritje në eksportin e mallrave dhe rënie në importin e tyre.

“Eksporti në muajin maj 2013 ka vlerën 27,2 milionë euro, ndërsa importi 213,7 milionë euro, çka do të thotë është një rritje prej 8.5% për eksport, si dhe një rënie  prej -7.7% për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012”, thuhet në publikimin e Agjencisë.

Partnerët kryesorë tregtarë sa i përket eksportit dhe importit në Kosovë, në raport me totalin e muajit, janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 39.1% për eksport dhe 41.1% për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 32.8% për eksport dhe 31.4% për import.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA