Në një mesazh të postuar në faqen e tij ne Facebook, kryeministri në detyrë Berisha i është rikthyer akuzave për pasuesin e tij në krye të ekzekutivit, Edi Rama.

Berisha shkruan se “dyshja Rama-Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit”. Berisha thotë se ata me Twitter hapën tenderin për fshesën e administratës.

“Dje në fjalën e tij, zoti Rama kërcënoi presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin anti-kushtetues të presidentit dhe heqjen së paku të tij, nga kryetar i KLD-së dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit”, thekson Berisha.

Ai thotë se Rama sulmoi dhe kërcënoi qeverinë sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. “Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militantëve të PS që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS. I ngarkon detyra Guvernatorit duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë”, vazhdon mesazhin e tij në Facebook Berisha.

Sipas tij, Rama ia ka besuar programin Beqjës dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten ka zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe cdo gjëje jo socialiste.

“Asgjë e papritur as dhe për t’u çuditur nga çifti Rama – Kokedhima. Shkodranët e kanë një shprehje: “tash po ju kalon vedi!”, përfundon mesazhin e tij Berisha.

Ramën dhe Kokëdhimën i akuzoi edhe deputeti Gerti Bogdani, i cili në një deklaratë në Selinë Blu, tha se ata i kanë vjedhur një mandat të djathtës në Lezhë dhe se kanë kërcënuar përfaqësuesin e saj në KQZ, Njazi Kosovrasti.

Top Channel