
Shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, e cila në Bruksel po ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi, nga Prishtina ka dhënë mesazhin që palët të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjes së arritur para gati 3 muajsh.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, kur është pyetur se a beson se palët do të arrijnë zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit në afatet e përcaktuara kohore, të cilat nuk shkojnë më larg se fundi i këtij viti, ajo ka thënë se është e kënaqur me atë që është bërë deri më tani.
“Mendoj se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Marrëveshja politike është përkthyer në veprime konkrete që duhet të zhvillohen. Unë tregoj respektin për shumë grupe punuese që kanë kaluar shumë ditë duke punuar së bashku që ta kthejnë atë marrëveshje në veprime konkrete. Duhet të dihet se çfarë duhet të ndodhë dhe kur duhet të ndodhë. Unë jam shumë e kënaqur. Është pak e komplikuar kohë pas kohe, por jam e kënaqur sepse ekziston vullnet. Ka edhe shumë për të bërë, por jam shumë e kënaqur me atë që është bërë deri më tani”, ka deklaruar Ashton.
Një ditë para se Kuvendi i Kosovës të vendosë në lidhje me projektligjin për amnistinë, i cili ka zgjuar debate të shumta, Ashton ka thënë se nuk dëshiron të hyjë në debate për përmbajtjen e tij, por sipas saj miratimi i tij është i rëndësishëm.
“Dua të shtoj se interesi im është që të siguroj se ajo që është arritur me marrëveshje të zbatohet dhe shpresoj që zbatimi i ligjit do të jetë një demonstrim i përkushtimit jo vetëm i qeverisë, por edhe i Kuvendit në atë se çfarë jemi duke punuar”, ka nënvizuar Ashton.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë para baroneshës Ashton, e cila e quajti atë burrë shteti, se Kosova zotohet për të përmbushur detyrimet që dalin nga marrëveshja e parë me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë edhe ligjin për amnisti. Ai ka ftuar deputetët që ta mbështesin atë të enjten në Kuvend.
“Unë mendoj dhe i ftoj të gjithë që të dalin mbi interesat politike ditore apo të karakterit elektoral, në interes të shtetit, në interes të normalizimit të gjendjes në veri dhe dërgimit të mesazhit të qartë. Unë i kuptoj edhe kritikët, edhe ata që janë kundër, por zëri i arsyes dhe e mira e shtetit fton që nesër të aprovohet ligji për amnistinë”, ka deklaruar Thaçi.
Përveç dialogut dhe punës që po bëhet në terren, Ashton ka folur edhe për vendimin e Këshillit Evropian që hap rrugën për nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizimi Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së, dhe këtë e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm në rrugëtimin europian të Kosovës.
Ashton ka paralajmëruar se deri në fund të muajit korrik do të ketë një takim tjetër, i 14-ti me radhë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, e ku pritet të arrihet ndonjë marrëveshje për energjinë dhe telekomunikacionin. Baronesha Ashton është takuar paraditen e së mërkurës edhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Top Channel