
Kryeministri Sali Berisha bojkotoi pritjen e dhënë nga Ambasada amerikane në Tiranë, me rastin e 237-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, këtë ceremoni e bojkotoi edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ndërsa të pranishëm ishin presidenti Bujar Nishani, kryeministri i ardhshëm Edi Rama, përfaqësues të të gjithe spektrit politik, shoqërisë civile, medias etj.
Në fjalën e tij, Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, është ndalur gjatë te zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri, duke i cilësuar ato si më domethënëset në historinë politike moderne të vendit tonë, ku shqiptarët – sipas tij – kanë bërë të qartë se e ardhmja e Shqipërisë është integrimi europian.
“Vetëm mbi dy javë më parë, dhjetra mijëra shqiptarë shkuan në votime, për të hedhur votën për udhëheqësit e tyre të zgjedhur. Mos u gaboni. Kjo ishte një zgjedhje përcaktuese, lehtësisht më domethënësia e historisë politike moderne të Shqipërisë. Po përse? Sinjali i qartë kumbues dhe mesazhi i pagabueshëm nga populli shqiptar ishte ky fakt i thjeshtë: ata janë përgatitur të marrin përgjegjësinë për drejtimin e ardhshëm të vendit të tyre dhe janë ata që do ta vendosin. Ata e kanë bërë të qartë bindjen e tyre, se e ardhmja e Shqipërisë i përket, si një pjesë integrale, Europës dhe kjo rrugë e integrimit do të ndodhë shumë më shpejt përmes përfshirjes dhe jo përçarjes. Cilido politikan apo cilado parti, që zgjedh ta shpërfillë këtë fakt bazë, e bën këtë duke rrezikuar veten”, theksoi Arvizu.
E për të gjithë ata skeptikë, Ambasadori Arvizu ka siguruar se do jetë në Shqipëri deri në fillimet e punimeve të Kuvendit të ri, ndërsa vetëm pak ditë para zgjedhjeve nga Ministria e Jashtme u dha lajmi se atij i mbaronte mandati.
“Do të jetë nder për mua, të ndjek personalisht mbledhjen e Kuvendit të ri, kur të thirret në fillim të shtatorit”, theksoi Arvizu.
Në fjalën e tij, Ambasadori Arvizu citoi një shprehje të Presidentit Obama:
“Presidenti Obama tha dikur: Ndryshimi nuk vjen nëse presim për një tjetër person, ose për një tjetër kohë. Ne jemi ata, për të cilët kemi qenë në pritje, ne jemi ndryshimi që kërkojmë”, deklaroi Arvizu.
Top Channel