
Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka mbledhur kryetarët e bashkive dhe deputetët socialistë të zonave bregdetare për të diskutuar mbi problematikën e ndërtimeve pa leje përgjatë gjithë bregdetit.
Rama tha se është vënë re një valë e re ndërtimesh pa leje në bregdet dhe se shkalla e abuzimit me pronën publike në këto zona është rritur duke përfituar nga tranzicioni i pushtetit.
Kreu i socialistëve shtoi se ka shumë ankesa nga ana e qytetarëve dhe se është i nevojshëm një koordinim dhe bashkëpunim më i ngushtë mes pushtetit vendor dhe atij qendror për t’u përballur me këtë problematikë.
“Ka shumë ndërtime pa leje që kanë pësuar zhvillime të mëdha për shkak të moskoordinimit të pushtetit vendor dhe autoriteteve qendrore. Por nuk kemi asnjë justifikim për sehir tashmë. Duhet të veprojmë me shpejtësi dhe forcë për të hedhur përtokë të gjitha ndërtimet që janë në zhvillim e sipër dhe për të ndalur këtë dallgë të madhe ilegaliteti që dëmton pronat private dhe ato publike. Këto janë cështje për t’u diskutuar, këto janë pikat më të nxehta”, tha Rama.
Rama foli për dy faza, atë të emergjencës që përfshin ndërhyrjen e menjëhershme në rrëzimin e ndërtimeve pa leje, dhe faza e dytë ajo e pastrimit të gjithë vijës.
“Janë këto dy fazat, njëra fazë ajo e emergjencës. Ju e shihni se qeveria në detyrë nuk ka asnjë lidhje me problemet e përditëshme të njerëzve dhe vendit dhe shumë janë turrur për të kapur pronat e orës së fundit duke hedhur tonalata beton të orës së fundit. Ne duhet ta ndalim tani këtë masakër dhe të rrëzojmë përtokë të gjitha ngrehinat që janë në ndërtim e sipër pa leje, nga Velipoja deri në Sarandë. Faza tjetër është nisja e punës sistematike për të pastruar gjithë vijën bregdetare. Cdo ndërtesë pa leje dhe që dëmton perspektivën e zonës bregdetare duhet të rrafshohet. Duhet një ligj apo ndërhyrje në ligj, qoftë për mënyrën si do menaxhohen plazhet, qoftë si do garantohet që gjithë cikli i ndëshkimit të ndërtimeve pa leje të jetë një cikël i mbyllur, jo një cikël i hapur sic është sot, ku autorët nuk ndëshkohen”, tha Rama.
Kryetari i PS-së përmendi edhe krijimin e një agjencie kombëtare për bregdetin, ashtu sic është premtuar në fushatë nga socialistët, ndërsa paralajmëroi shkrirjen e Policisë Ndërtimore. Rama kërkoi nga përfaqësuesit socialistë hartimin e propozimeve për ndërhyrje në ligj për mbrojtjen e bregdetit.
“S’do të kemi më Polici Ndërtimore, por polici shteti dhe kjo do marrë në mbrojtje mbrojtjen e territorit në cdo centimetër të Shqipërisë. Të hartohen propozime për ndërhyrje në ligj për mbrojten e territorit në vijën bregdetare. Në programin tonë kemi vëmendje të posacme për bregdetin dhe kemi në plan ngritjen e një agjencie kombëtare për mbrojtjen e bregdetit. Ky është detyrim ligjor, jo dëshirë e jona për të punuar pa nisur formalisht punë, ndaj këto dy muaj duhet të angazhohemi për shembjen e ndërtimeve pa leje”, deklaroi kreu i PS-së.
“S’do ketë tolerancë dhe leje për ndërtimet që dëmtojnë strategjinë e zhvillmit të vendit. kush ka ndërtuar një shtëpi banimi meriton mbështetjen tonë, ndërsa ai që ka ndërtuar për të përfituar, nuk do të tolerohet.
Deputetja socialiste e qarkut të Lezhës, Mimi Kodheli përpos problematikës së ndërtimeve pa leje tha se duhet një rregullim edhe për aktivitetin e peshkimit nëpër zonat bregdetare.
Ndërsa deputetja e qarkut të Vlorës, Valentina Leskaj u ndal tek problematika e furnizimit me ujë të pijshëm të zonave bregdetare dhe nevojën e ndërmarrjes së një aksioni së bashki me organizatat joqeveritare për pastrimin e plazheve.
Vlorë, shkatërrohen ndërtimet pa leje
Me urdhër të kryebashkiakut të Vlores ka nisur shkatërrimi i 140 ndërtimeve pa leje në zonen e Jonufrës në bregdetin e Vlorës.
Keto jane ndertime te vendosura deri ne 2 kilometra larg vijes ujore siper rruges nacionale. Bashkiaket thone se aksioni eshte pjese e premtimit per pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje.
“Aksioni i parë është bërë në zonën e plazhit të vjetër në pyllin e Sodës për parandalimin e të gjitha ndërtimeve pa leje. Ky është aksioni i dytë, i cili është për zonën e vijës bregdetare nga Kalaja deri tek vija e verdhë që ndan Vlorën me Orikumin. Janë 140 objektet që do të prishen të gjitha. Ndërkohë po bëhet gati i gjithë dokumentacioni për aksionin e tretë”, thotë Ardian Musta, nënkryetari i Bashkisë.
Ne nje faze te trete shume shpejt do nise nderhyrja edhe ne pjesen poshte rruges dhe ndaj moleve te ndertuara ne det.
“Në vijën bregdetare janë identifikuar rreth 70 objektet, ndërkohë përfshihet një sasi e madhe e moleve”, tha Musta.
Aksionet per prishjen e ndertimeve pa leje nisen para zgjedhjeve te pergjitshme dhe do te vijojne deri ne pastrimin e plote te zones bregdetare.
Top Channel