Rama: Berisha, mos merr më vendime

09/07/2013 00:00

Në mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të PS-së, Edi Rama ka
kërkuar prej gjithësecilit marrjen e përgjegjësisë përballë asaj, që ai e
quajti “ një sfidë të re sa një mal të këtij mandati”, që ia kanë
besuar një milion shqiptarë.

Duke i quajtur dy muajt në vijim si tejet të rëndësishëm, Kryeministri i ardhshëm i vendit i ka përsëritur Kryeministrit në detyrë thirrjen për të ndalur projektin e tij rrënues të Shqipërisë.

“Ne do të anulojmë çdo vendim për shpenzime parash, që shkojnë përtej kostove normale të rolit të një qeverie kujdestarie në një fazë tranzicioni të pushtetit. Po ashtu do të zhbëjmë menjëherë edhe çdo vendim për tenderë, privatizime e koncesione të marrë pas 23 qershorit sipas avazit të vjetër të gjithë këtyre viteve “të kapim ç’të kapim, kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht”. Edhe sipërmarrësve jam i detyruar t’u përsëris thirrjen që të mos përfshihen në asnjë marrëdhënie të re parash apo pronash me këtë qeveri fantazmë”, tha Rama.

Duke iu referuar takimit të djeshëm me guvernatorin Fullani, Rama deklaroi se i ka kërkuar hartimin e një programi të vlerësimit të sistemit financiar së bashku me partnerët ndërkombëtarë dhe FMN.Qeveria e re dhe vete publiku shqiptar duhet ta dinë të vërtetën e financave të vendit, theksoi Rama.

Pavarësisht një sërë hamendësimesh në media për formatin e Qeverisë ‘Rama’, vetë Kryeministri i ardhshëm i ka hedhur poshtë ato kur tha: Procesi i formimit të qeverisë nuk ka mbërritur tek emrat dhe ndarjet e ministrive. Sepse diskutimi për emrat do të jetë i fundit pasi të hidhen piketat e parimeve e të kritereve të mirëqeverisjes – në kuptimin e garancive që duhet të ketë për publikun sistemi i formimit të skuadrës, jo si qeveri, por në të gjitha nivelet.Do të ndajmë përgjegjësitë, por nuk do të ndajmë shtetin në parcela dhe nuk do t’i ndajmë njerëzit në ne dhe ata, brenda nesh”, tha Rama.

Edi Rama shprehu pakënaqësi ndaj Presidentit të Republikës që lidhen me zhvillimet e fundit në KLD, por tha se ai është prirur të punojë me zotin Nishani duke mos patur në axhendën e Kryeministrit konfliktin institucional.

“S’mund të mos bashkohem me shqetësimin e madh që krijuan në opinionin publik disa ngritje të mëtejshme në detyrë nga KLD-ja, të një sërë gjyqtarësh të përfshirë në procese gjyqësore që kanë shkaktuar dëshpërim kombëtar dhe ndërkombëtar, në raport me Shqipërinë. Unë jam i vendosur të punoj me durim për të ndërtuar një kulturë të re komunikimi e bashkëpunimi institucional, mes kryeministrit dhe Presidentit të Republikës e po kështu mes shumicës së re e një kryetari shteti të zgjedhur nga shumica e vjetër. Epoka e agresionit qeveritar dhe retorikës vulgare në funksion të luftës politike të shumicës me institucionet e pavarura dhe me vetë Presidentin e Republikës, është mbyllur bashkë në 23 qershor bashkë me epokën e paraardhësit tim”, tha Rama.

Rama u ndal edhe tek pritshmëritë e tij për kryeprokurin e Republikës.

“Ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e vendit në llogoren e luftës politike ndaj një kryeprokurori, që deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar ndonjë vlerësim pozitiv prej nesh. Ia kam bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se ne do të qeverisim në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin e me kulturën e pandëshkueshmërisë. I kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar krah për krah me organin e prokurorisë dhe me atë personalisht, kundër krimit dhe korrupsionit në çdo nivel e të çdo kohe sado të vjetër a të re”, tha Rama.

Pas këtyre deklarimeve Rama la të kuptohet se nuk do të ketë nisma për zëvendësimin e drejtuesve të institucioneve kushtetuese, duke thënë që nuk do të bëjë atë që bëri Berisha.

Berisha sulmon sërish pasuesin e tij, Ramën

Në një mesazh të postuar në faqen e tij në Facebook, kryeministri në detyrë Berisha i është rikthyer akuzave për pasuesin e tij në krye të ekzekutivit, Edi Rama. Berisha shkruan se “dyshja Rama-Kokëdhima vazhdojnë furishëm revanshin e pandalshëm dhe kërcënimet vulgare ndaj institucioneve të vendit”.

Berisha thotë se, dje në Twitter, ata hapën tenderin për fshesën e Administratës. “Sot, në fjalën e tij, zoti Rama kërcënoi Presidentin me 84 votat e tij, pasi nuk arriti të konsolidojë projektin aventuror për shkarkimin antikushtetues të Presidentit dhe heqjen së paku të tij nga kryetar i KLD-së, si dhe vendosjen e këtij institucioni nën drejtimin e kryeministrit”, thekson Berisha.

Ai thotë se Rama sulmoi dhe kërcënoi qeverinë, sepse ai beson se ata kanë marrë një mandat për 4 vjet e tre muaj. “Sulmoi dhe kërcënoi Prokurorinë, sepse ëndërron rikthimin e tregtarëve të dosjeve dhe militantëve të PS, që e kishin shndërruar atë në një repart fanatik të PS. I ngarkon detyra Guvernatorit, duke harruar se Banka është e shtetit dhe jo e qeverisë”, vazhdon mesazhin e tij në Facebook, Berisha.

Sipas tij, Rama ia ka besuar programin Beqjes dhe Yllit, ndërsa për Koçon dhe veten kanë zgjedhur sulmin, revanshin ndaj institucioneve kushtetuese dhe çdo gjëje jo socialiste. “Asgjë të papritur, as dhe për t’u çuditur, nga çifti Rama-Kokëdhima. Shkodranët e kanë një shprehje: tash po iu kalon vedi!”, përfundon mesazhin e tij Berisha.

Top Channel