KQZ, përplasje për rezultatin e Lezhës

09/07/2013 00:00

Tabela përfundimtare e Qarkut të Lezhës, e fundit e pamiratuar nga KQZ, ka vënë institucionin më të lartë të zgjedhjeve tashmë me katër anëtarë, në provën e parë të rëndësishme pas përfundimit të zgjedhjeve.

Rezultati i ngushtë që ka bërë edhe përcaktimin e mandatit të katërt të së majtës në këtë qark, ka rritur ndjeshmërinë e palëve në këtë debat.

Administrata e KQZ-së ka relatuar se në tabelën përfundimtare të Qarkut të Lezhës, ZAZ atje ka llogaritur edhe 10 kuti, tabelat e të cilave nuk janë origjinale, por fotokopje.

Kjo është pranuar nga të dyja palët në KQZ, por PS e PD janë ndarë në procedurën që duhet të ndiqet në këtë rast.

Genc Gjonçaj, përfaqësues i PS: Sot KQZ duhet të miratojë tabelën përmbledhëse me rezultatet përfundimtare për Qarkun e Lezhës me rezultatet e administruara zyrtarisht në KQZ nga grupet e numërimit, nga KZAZ-të përkatëse dhe më pas secila prej palëve mund të ankimojë rezultatin. Kjo është rruga që është përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Njazi Kosovrasti, përfaqësues i PD-së: Kjo është njësoj sikur të shkoj unë me 100 dollarë fals të blej dhe t’i them shitësit tani ankohu se nuk janë origjinale.

Katër anëtarët e KQZ-së kanë rrëzuar qëndrimin e përfaqësuesve ligjorë të PS, se është procesi ankimor në të cilin KQZ duhet të bëjë rregullimin e shifrave nëse manipulimi vërtetohet.

Lefteri Lleshi, kryetare e KQZ-së: Për sa kohë ne kemi detyrimin e përpunimit të materialeve dhe kur në to dukshëm duken, parregullsi, KQZ nuk mund të vazhdojë më tej vetëm se i referohet një tabele rezultatesh.

Por pavarësisht se edhe ish-kolegu i tyre, zoti Muho mbështeti qëndrimin e PS, anëtarët e KQZ-së vendosën t’u bëjnë ftesë partive të vënë në dispozicion fotokopje të tabelës origjinale të Qarkut të Lezhës dhe nëse këto nuk disponohen, ky institucion do të përfshijë në tabelën përfundimtare të Qarkut të Lezhës të dhënat e sistemit elektronik që grupet e numërimit kanë referuar në KQZ gjatë procesit të numërimit.

Por rasti i Lezhës nuk është i paprecedentë në KQZ. Në zgjedhjet e vitit 2009 për Qarkun e Fierit, ka patur probleme me  rezultatin në qendra votimi atje. Pavarësisht kërkesës së opozitës së atëhershme për adresimin e kësaj problematike përpara miratimit të rezultatit final të këtij qarku, KQZ miratoi tabelën përfundimtare ashtu sic shifrat kishin ardhur nga ZAZ dhe rregullimi i shifrave u bë gjatë procesit ankimor.

Ajo që po duket është se nuk do ndiqet ky precedent  dhe  ajo që duket e sigurtë është se Qarku i Lezhës do të shkojë në proces të gjatë ankimor të të dyja palëve, ku nuk përjashtohet as mundësia për kërkesë për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Lezhë.

Në përfundim të mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi i PD-së denoncoi se kishte marrë kërcënime në telefon për shkak të deklarimeve të tij për Qarkun e Lezhës.

Top Channel