
Beteja për kryetarin e Partisë Demokratike mes Sokol Olldashit e Lulzim Bashës vijon në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Olldashi në një takim të zhvilluar në qytetin e Pogradecit ka vijuar akuzat e tij për LSI-në dhe bashkimin e saj më Partinë Socialiste. Sipas Olldashit Edi Rama dhe Ilir Meta janë pjesë e së njëjtës së keqe.
“Duhet të identifikojmë palët politike, gjithmonë në kuadër të veprimit opozitar. Sot, Shqipëria ka dy palë politike, ka qeverinë e Edi Ramës, pjesë e së cilës është edhe Ilir Meta dhe opozitën Partinë Demokratike. Ne duhet të identifikojmë dhe të shënjestrojmë si objektiv, qeverinë e Edi Ramës. Edi Rama dhe Ilir Meta janë pjesë e së njëjtës së keqe, janë partia mëmë, janë bërë prapë bashkë dhe ne e kemi fokusin të përqëndruar tani. Ky është objektivi që ne do të rrëzojmë, në përballjen e parë elektorale me ta”, tha Olldashi.
Duke u ndalur te ristrukturimi i Partisë Demokratike, Olldashi deklaroi se do të punojë ngushtësisht me strukturat në bazë për të zhdërvjelltësuar jetën politike brenda partise dhe për të ndezur motorët e kontrollit të territorit në këndvështrimin elektoral.
“Të përforcojmë disa lidhje që kishin filluar të zbeheshin me militancën e partisë, me anëtarin e thjeshtë të saj. Shumica e kapaciteteve njerëzore të korpusit politik të PD-së, duke filluar nga Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe deri tek grupet e punës u angazhuan në qeverisje, parlament dhe në administratë, duke ngathtësuar lidhjen me strukturat bazike të partisë”, shtoi Olldashi.
Nga ana tjetër Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike para anëtarëve të kësaj partie në njësitë bashkiake 8, 9 dhe 10, në kryeqytet. Në fjalën e tij Basha ka theksuar në këtë takim, vizionin e tij të drejtimit të PD, anëtari i kësaj partie do të jetë pjesë e rëndësishme e vendimmarrjes.
“Çdo anëtar i Partisë Demokratike, që këtej e tutje duhet dhe do të ketë vendin, për të thënë fjalën e tij, nga veprimet taktike në terren deri tek përzgjedhja e kandidaturave drejtuese, deri tek përzgjedhja e kandidatëve për deputetë. Për mua, është hapi i parë drejt fillimit të ri. Ju garantoj se me përkushtimin tim dhe përkushtimin tuaj, do ta nxjerrim përsëri në opozitë kryesocialistin dhe do i rikthejmë pushtetin PD”, tha Basha.
Basha ka theksuar se demokratët nën drejtimin e tij do u rikthejnë shpejt shqiptarëve mazhorancën morale, pasi mazhoranca e re dëshmoi se është kundër interesit të qytetarëve dhe është vetëm mazhorancë pazaresh.
“Përballemi sot me një mazhorancë që është standardi më i ulët i së kaluarës 22-vjeçare. Ata janë Shqipëria e dredhive dhe e pazareve. Ata janë Shqipëria e mashtrimit dhe e tjetërsimit, një mazhorancë me sy të babëzitur drejt pasurive publike të shqiptarëve. PD duhet të jetë gati t’i përgjigjet, si mazhoranca morale e shqiptarëve dhe e qytetarëve shqiptarë kudo ku ndodhen”, deklaroi Basha.
Top Channel