Në një postim në faqen e tij në Facebook, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama shkruan se zgjedhjet mbaruan me një fitore të gëzueshme e spektakolare.

“Por së shpejti një qeveri e re do të duhet të përballet me realitetin aspak të gëzueshëm të Shqipërisë që kemi premtuar të rilindim”, thotë kryeministri i ardhshëm.

“Unë do të drejtoj qeverinë, por as unë vetëm dhe as vetëm qeveria nuk përbëjmë gjithë skuadrën e re për Shqipërinë. As mund të bëjmë dot të vetëm punën e gjithë skuadrës që duhet të jetësojë reformat e thella të Kuvendit të ri të Shqipërisë”, thekson ai.

Për Ramën, skuadra që duhet përbëhet si çdo skuadër e vërtetë nga shumë pjesë, të dukshme e të padukshme, që veprojnë në shumë nivele për të fituar sfidën.

“Prandaj sot ju drejtohem të gjithëve ju, çdo shqiptari të zotë e të etur për ndryshim, për t’ju pyetur çfarë mendjeje keni për më tutje. Dhe atyre që dëshirojnë, u lutem të mendojnë çfarë roli mund të luajnë për këtë skuadër, si mund t’i përdorin aftësitë e tyre për të ndihmuar në realizimin e ndryshimit që i nevojitet vendit tonë”, apelon Rama.

Ai i fton më të zotët të përfshihen në përpjekjen për përballimin me sukses të sfidës së jashtëzakonshme që ka përpara qeveria e re.

“Në kryeministri po edhe në çdo ministri e agjenci shtetërore, ne do të kemi nevojë për prurje të reja energjish dhe aftësish njerëzore të harmonizuara me eksperiencën e gjithkujt që në zyrat e shtetit gjendet sot për arsye të meritës, e jo thjesht për shkak të lidhjeve të gjakut, teserës apo korrupsionit me tribën në fuqi”, thekson Rama.

Sipas tij, shumë struktura të vjetra do të zhbëhen dhe një sërë të rejash do të ngrihen, për të çuar përpara projektet e programet prioritare të qeverisë, që vendi të ecë më shpejt në rrugën e Rilindjes e të bashkimit të Shqipërisë me familjen europiane.

“Verdikti i votës në 23 qershor dikton që asnjë njeri i zotë në këtë vend të mos mbetet pa një mundësi për ta tentuar shansin e vet të pjesëmarrjes në skuadrën e re për Shqipërinë”, deklaron më tej Rama.

Ai postoi një format aplikimi që do të jetë në dispozicion të qeverisë së re në shtator. “Unë dua të bëj gjithnjë më të mirën që asnjë shqiptar i mirë dhe i zotë të mos ndjehet jashtë loje në këtë vend. Pavarësisht se si ka votuar”, përfundon Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA