
Mirovc, Podujevë – Në brezin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dielën në mbrëmje janë plagosur 6 persona me kombësi shqiptare.
Policia e Kosovës ka deklaruar se dyshohet se ka pasur një shkëmbim zjarri, ndërsa sipas mjekëve të Qendrës Klinike Universitare, gjendja e të plagosurve është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas Policisë së Kosovës, këta persona dyshohet se kanë shkuar për të prerë dru, kur rreth orës 19:40 ka filluar shkëmbimi i zjarrit.
Kryetari i fshatit Mirovc i komunës së Podujevës thotë për Top Channel se për rreth 10 minuta ka pasur të shtëna armësh nga xhandarmëria serbe.
“Kam qenë në shtëpi, pasi kam dëgjuar të shtënat me armë kam ardhur në vendin e ngjarjes. Janë plagosur 6 persona jo të fshatit Mirovc. Janë tërhequr nga ky vend 6 të plagosur dhe i kemi dërguar në urgjencë. Për 10 minuta ka pasur të shtëna armësh nga xhandarmëria serbe”, tregon Enver Hajdini.
Banorët që jetojnë afër brezit kufitar ku ndodhi kjo ngjarje rrëfejnë për Top Channel se u frikësuan shumë kur dëgjuan të shtënat me armë dhe se nuk dinin se çfarë po ndodhte.
“Kam qenë duke ardhur me veturë kur kanë filluar krismat. Një pjesë e anëtarëve të familjes kanë qenë në shtëpi dhe janë tërhequr, janë frikësuar. Vetëm i kam dëgjuar të shtënat, nuk e dija se çfarë po ndodhte”, tregon Gani Ajeti, banor i fshatit.
Ndërkohë, Policia e Kosovës nuk ka konfirmuar se xhandarmëria serbe ka shtënë me armë në drejtim të personave të plagosur. Zëdhënësi Baki Kelani thotë se është kërkuar ndihmë nga EULEX-i dhe KFOR-i në vazhdimin e hetimit, duke përfshirë edhe saktësimin e vendit ku ka ndodhur kjo ngjarje.
“Policia e Kosovës dhe njësitet e saj kanë kontaktuar EULEX-in dhe KFOR-in që të dilet bashkarisht në vendin e ngjarjes për kontrollin e saj, meqë përgjegjës për vijën e gjelbër është ende KFOR-i”, ka deklaruar Kelani.
Sidoqoftë, gjatë së hënës në mesditë, në këtë zonë kufitare u pa duke patrulluar edhe policia kufitare e Kosovës.
Kosovë-Serbi, plagosen 6 shqiptarë në kufi
Gjashtë shqiptarë kanë mbetur të plagosur nga armët e zjarrit në fshatin
Mirovc të komunës së Podujevës, në brezin kufitar mes Kosovës dhe
Serbisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:40 minuta të së dielës dhe dyshohet se ka pasur shkëmbim zjarri mes disa personave që kanë qenë duke prerë dru dhe disa personave nga ana serbe e kufirit.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës. Si pasojë e shkëmbimeve të zjarrit një mashkull shqiptar dyshohet se është plagosur rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Po sipas Policisë së Kosovës, nga informacionet nga terreni, në emergjencën e Podujevës është paraqitur dhe personi i dytë që është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në të njëjtin rast. Personi është plagosur në këmbë dhe sipas ekipeve mjekësore është jashtë rrezikut për jetën.
Fillimisht ishte raportuar për dy persona të plagosur nga armët e zjarrit, por më vonë sipas Policisë së Kosovës ka rezultuar se edhe 3 persona të tjerë kanë pësuar lëndime në këtë shkëmbim zjarri, ndërsa 1 tjetër është lënduar gjatë ikjes.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me këtë rast.
Top Channel