Shpallja “Non grata” në Greqi e gazetarit të Top Channel, Marin Mema, tashmë është bërë objekt diskutimi edhe në parlamentin e shtetit fqinj.
Ka qenë deputetja e partise Dimar, Maria Janakaqi, e cila ka kërkuar shpjegime nga ministri i Rendit publik dhe Mbrojtjes së qytetarëve, për këtë veprim, si dhe për ndalimin e një gazetareje maqedonase.
Në kërkesën për interpelancën e kërkuar, Janakaqi thekson:
“Më 19 gusht 2012, i është ndaluar hyrja në vendin tonë gazetarit të Top Channel, në Tiranë, Marin Mema, pasi emri i tij ishte i shënuar në regjistrin e personave të padëshiruar. Këto veprime bien ndesh dhe shkelin rëndë të drejtat e njeriut, lirinë e lëvizjes së lirë dhe lirinë e shprehjes. E mbi të gjitha lirinë e gazetarëve, duke e shfaqur vendin tonë, në arenën ndërkombëtare, si një shtet të frikësuar. Mbi të gjitha, këto ngjarje krijojnë një klimë negative në marrëdhëniet e Greqisë me këto vende”.
Lidhur me këtë çështje, deputetja Janakaqi i ka drejtuar ministrit përgjegjës këto pyetje:
“Pse u është refuzuar hyrja në shtetin tonë gazetarëve dhe për cilën arsye ata janë klasifikuar si të padëshiruar? A janë hequr emrat e tyre nga Regjistri Kombëtar i personave të padëshiruar dhe, nëse jo, a do të ndodhë kjo gjë? A ka gazetarë të tjerë, emrat e të cilëve janë në Regjistrin Kombëtar si të padëshiruar dhe, nëse po, pse? A do të hiqen emrat e tyre nga ky regjistër?”.
Rasti i gazetarit të Top Channel, Marin Mema, është diskutuar edhe gjatë takimeve të ministrave të Jashtëm të të dy shteteve, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje zyrtare dhe gazetari Mema vijon të jetë person “Non grata” në Greqi.
Top Channel