Një grua vrau bashkëshortin me të cilin ishte martuar 50 vite më parë, për ta shpëtuar nga dhimbjet e një sëmundje të pashërueshme, raportuan të hënën mediat britanike.
82-vjeçari John Sampford vuante nga një formë e pashërueshme e leuçemisë dhe i kishin mbetur vetëm disa muaj për të jetuar.
Ai u gjet i pajetë ditën e premte dhe autopsia tregoi se nuk kishte qenë sëmundja që i kishte marrë jetën, por bashkëshortja e tij.
75-vjeçarja Sheila Sampford e kishte të pamundur të shikonte njeriun e jetës së saj se si tretej ditë pas dite në agoni dhe si rrjedhojë, kishte vendosur që ta mbyste gjatë natës.
Nuk është ende e qartë nëse vrasja e të moshuarit ishte konsensuale apo nëse gruaja kishte vendosur me mendjen e saj që t’i jepte fund dhembjeve të padurueshme të bashkëshortit, por pavarësisht kësaj, tashmë ajo pritet të gjykohet për vrasje me paramendim dhe mund të mbyllë jetën pas hekurave.
Top Channel