Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert ka shfaqur shpresën se në takimin e sotëm të kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi do të arrihet përparim lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe gjetjen e zgjidhjes rreth çështjeve tjera të hapura.
Në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, ai ka thënë se midis çështjeve të pazgjidhura është edhe ligji për amnistinë të cilin, sipas marrëveshjes së Brukselit duhet ta miratojë Kuvendi i Kosovës.
Duke komentuar zërat se në ligj do të përfshihen edhe personat e dyshuar se kanë marrë pjesë në sulmet ndaj forcave ndërkombëtare, Degert ka theksuar se kjo nuk është e vërtetë.
“Nëse ka pasur sulme ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë, atëherë ata që janë përgjegjës duhet të proçedohen penalisht dhe të japin llogari”, ka nënvizuar Degert.
Ai ka vlerësuar se është me rëndësi të jashtëzakonshme që të gjendet zgjidhja për të gjitha çështjet që janë në rend të ditës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.
“Është jetike që të arrihet përparim dhe të vazhdojë dialogu lidhur me çështjet e tjera të hapura”, ka vijuar ambasadori i BE-së në Beograd. Degert ka nënvizuar se mes çështjeve që presin zgjidhje janë edhe ajo për energjitikën dhe telekomunikacionet.
Top Channel