Partia Socialiste ka mbajtur mbrëmjen e së shtunës një miting në qytetin e Vlorës, për të falenderuar qytetarët për besimin e votës në zgjedhje.
I pranishëm ka qenë kryetari Edi Rama, i cili u ka premtuar vlonjatëve se nuk do t’i zhgënjejë ata në këto katër vjet që ai do të jetë kryeministër i Shqipërisë.
”Qytetarët më besuan me votë për të ndryshuar Shqipërinë. Kemi mundësinë për t’i fituar sfidat që na presin”, ka deklaruar Rama, i ndjekur nga deputetë të tjerë të PS.
Një ditë më parë, duke folur në cilësinë e kryeministrit, Rama u kërkoi anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS që ta lexojnë me vëmendje dhe përgjegjshmëri mandatin që shqiptarët iu besuan më 23 qershor.
“Duhet të vlerësojmë çdo kontribut mbi bazën e meritës dhe duhet të kërkojmë më të mirët, më të talentuarit, më të zotët, ashtu sikundër duhet të respektojmë çdo zotësi ndër ata që nuk na kanë votuar. Ne duhet të jemi garantë të vazhdimësisë normale të jetës. Parafytyrimi i një shtese politike, që i zhduk të gjithë, siç i zhduku të gjithë kjo qeveri, do të thotë të përfundosh më keq nga sa përfunduan ata”, deklaroi Rama.
Rama i bëri një thirrje qeverisë në deyrë për t’u sjellë si kujdestare e vendit, sikurse u bëri një apel subjekteve private.
“Të kalojmë në një fazë kujdestarie pa marrë më tutje vendime, në funksion të vizionit apo të programit të tyre që u ndëshkuan me votën e shqiptarëve. Do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë aktuale, që lidhet me periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit”, tha kreu i PS.
Top Channel