Përkujtohet masakra e Borovës

06/07/2013 00:00

Drejtues të pushtetit vendor të Ersekës, të shoqëruar nga ambasadorja çeke Bronislava Tomasova, deputetja socialiste Arta Dade dhe zyrtarë të tjerë zhvillaun homazhe në nderim të 107 martirëve të vrarë në “Masakrën e Borovës”, me rastin e 70-vjetorit të vdekjes së tyre.

Në varrezat e martirëve bënë homazhe edhe familjarë dhe të afërm të të vrarëve. Por, ndryshe nga shumë ceremoni të tjera, kësaj iu bashkua edhe  djali i një prej ushtarëve gjermanë, i cili u kërkoi ndjesë familjarëve të viktimave.

Në korrikun e vitit 1943 trupat e ushtrisë gjermane, pasi u sulmuan nga partizanët në fshatin Barmash, u tërhoqën në Borovë ku masakruan me bajoneta burra, gra e fëmijë që ndodheshin në fshat, duke regjistruar një prej masakrave më të mëdha në vend. Markus Burger, djali i usharit Anton Burger, rikujtoi ngjarjen tronditëse të cilën e ka zbuluar nga ditari i të atit.

“70 vjet më parë babai im ka qenë në këtë vend. Ai nuk tregoi kurrë rreth Borovës, nuk fliste zakonisht për luftën shkatërruese, e cila solli shumë dhimbje, dëshpërim dhe urrejtje në Europë. Vetëm dy vjet më parë, një vit pasi babai im kishte vdekur munda të gjej ditarin e tij ku shkruante për Borovën. Më pas gjeta dhe një libër dedikuar njësisë në të cilën babai im kishte shërbyer. Ishte një keqardhje shumë e thellë dhe nuk mund të përshkruaj ndjenjat e mia, nga ajo ditë dhe veçanërisht sot. E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj është që të ndaj këtë përkujtimore me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërë babai im këtu”, u shpreh Burger.

Ndërsa deputetja socialiste Arta Dade deklaroi se do të bëhen përpjekjet maksimale që Borova të marrë statusin e fshatit martir në rrafshin Europian.

Top Channel