Përgjegjesia e humbjes është e të gjithëve, ndërsa militantëve u kërkojmë falje për gabimet tona. Në këtë mënyrë deputeti i PD Sokol Olldashi u është drejtuar mbështetësve dhe anëtarëve të PD në Mallakastër.

Takimi në Ballsh ka startuar fushatën e Olldashit për garën e kreut të PD, garë që sipas tij i shërben partisë dhe analizës për humbjen e zgjedhjeve. Në analizën e tij për dështimin e PD në zgjedhje, Olldashi shpjegoi se kishte faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Sipas tij, pati teprime dhe shkelje nga pala tjetër dhe këtu iu referua LSI-së, por pati edhe lëshimeve nga vetë PD. Sa i takon LSI-së, Olldashi tha se ajo e goditi PD-në me forcën e pushtetit që iu dha nga kjo e fundit. Ndërsa vetë PD, tha Olldashi, anashkaloi për një moment kartën morale me të cilën ka ardhur gjithnjë në pushtet. Aritmetika, tha ai, sulmon principet në politikë.

“LSI-së i dhamë pushtet si pjesë e koalicionit. Por ne i lamë ata të livadhisnin me pushtetin tuaj. Ua dhamë, ajo u largua nga koalicioni dhe u kthye të godiste PD në strukturat e saj mbështetëse, pra tek njerëzit. Dhe këto zgjedhje, pavarësisht se nga ana e qeverisë u mor çdo masë që të ishte një proces absolutisht i rregullt, në themel të tyre ka një deviacion të madh që vjen nga blerja e votës. Dhe gjëja e parë që ne duhet të korrigjojmë është që në te bindim shqiptarët se procesi zgjedhor nuk është shit-blerje”, deklaroi Olldashi.

Duke e ndarë edhe njëherë përgjegjësinë për humbjen tek të gjithë drejtuesit e PD, përveç militantëve, Olldashi u kërkoi falje këtyre të fundit. Duke iu referuar mazhorancës së re, Olldashi tha se ajo është një mazhorance jo reale, e korruptuar dhe e inkriminuar.

Në këto kushte, tha ai, ne e kemi më të lehtë ta rrëzojmë këtë mazhorancë. Ajo që do bëjmë është t’u themi qyetarëve  të vërtetat dhe ketë do ta bëjmë, pavarësisht numrave në Parlament, premtoi Olldashi.

“Përgjegjës për këtë humbje ju thash që jemi të gjithë. Të vetmit që nuk janë përgjegjës për humbjen janë militantët e thjeshtë të PD dhe anëtarët e thjeshtë të partisë, që nuk kanë adminsitruar pushtetin, por që janë rropatur dy muaj rresht në këtë fushatë për të përçuar ato ide që PD shpalosi në platformën e vetë elektorale. Atë program që PD paraqiti para qytetarëve. Ndaj unë nuk kam asnjë ndroje që t’ju kërkoj publikisht ndjesë të gjithë militantëve të PD, të gjithë anëtarëve të PD: na falni që megjithë punën tuaj të madhe nuk arritëm të fitojm”, u shpreh Olldashi.

Olldashi sqaroi se ka hyrë në garë si një militant i thjeshtë i PD, duke kujtuar fillimet e vitit ‘90 kur ndante trakte në qytetin e Durrësit. Sot ai hyn në garë pasi mendon se është pjesë e arritjeve por edhe e humbjeve të PD.

Duke njohur strukturat e kësaj force politike, Olldashi e bazon fushatën e tij te rivitalizimi i tyre në bazë të kontributit personal të çdo anëtari, vendosjes së mekanzimave si dorëheqja për çdo disfatë, duke filluar nga drejtuesi i seksionit e deri te kreu i partisë.

Më tej Olldashi ka sqaruar programin e tij për drejtimin e PD, ku strukturat dhe funksionimi efiçent do të jene çelësi për një PD të fortë që shumë shpejt do të vijë në pushtet.


Basha fushatë në Elbasan

Të mundim mazhorancën e votave të deformuara

Lulzim Basha e nisi nga Elbasani fushatën për kreun e Partisë Demokratike. Gjatë një takimi me anëtarë të partisë në teatrin “Skampia”, Basha shpalosi pikëpamjet e tij për rrugën që duhet të ndjekë PD në të ardhmen. Basha kërkoi besimin e anëtarësisë duke deklaruar se vetëm të bashkuar do të mund të ecin përpara.

“Kjo është një mundësi për të bashkuar secilin prej nesh në këtë familje të madhe. Elementi i parë i reflektimit është që të jemi të gjithë bashkë dhe mos të lejojmë përçarje dhe shpifje që të hyjnë mes nesh. Secili prej nesh duhet të pranojë përgjegjësitë e veta. Kandidatura ime për kreun e PD-së nuk është nisur nga ambicia personale, por duke u nisur nga ndjenja e përgjegjësisë dhe ky është një vendim mjaft i vështirë për mua”, deklaroi Basha.

Por një pjesë të mirë të fjalimit të tij Basha ia kushtoi akuzave ndaj mazhorancës, të cilën ai e cilësoi një mazhorancë të votave të deformuara. Nuk vë në diskutim rezultatin, tha Basha, por legjitimitetin dhe moralin me të cilin kjo mazhorancë erdhi në pushtet.

“Mazhoranca ka ardhur në pushtet me premtime të cilat nuk i mban dot dhe që nuk ka ndërmend t’i mbajë. Kjo mazhorancë ka mundësi të dalë në kundërshti me interesat e qytetarëve të këtij vendi. Duhet të jemi në opozitë me këtë mazhorancë dhe në mazhorancë me interesat e qytetarëve shqiptarë. Partia Demokratike do të angazhohet në funksion të mbrojtjes së shërbimit civil”, nënvizoi Basha.

Gjatë gjithë fjalës së tij zoti Basha ngriti lart figurën e kreut të dorëhequr të PD, Sali Berisha, duke e cilësuar si liderin historik dhe duke e përjashtuar nga përgjegjësitë e humbjes së 23 qershorit. Jemi të gjithë përgjegjës për humbjen, tha Basha, por kjo nuk do ta përçajë PD. Në fund të fjalës së tij, Basha bëri thirrje për një garë dinjitoze për kren e PD, që do t’i çojë së shpejti drejt pushtetit.

Top Channel