Nigeri, digjen të gjallë 29 studentë

06/07/2013 00:00

Të paktën 30 persona kanë mbetur të vrarë në një sulm të kryer nga ekstremistët islamikë ndaj një shkollë në Nigeri.

Sipas informacioneve të para, sulmi u krye në agim në një kolegj të qytetit Mamudo, në veri-lindje të Nigerisë. Viktimat janë 29 studentë dhe një mësues.

Të mbijetuarit nga sulmi, të shtruar në spital me plagë të marra nga armë zjarri dhe djegie, kanë treguar se disa studentë u dogjën të gjallë, ndërsa të tjerë u qëlluan me armë teksa tentonin të iknin.

Babai i dy prej viktimave ka deklaruar se në shkolla nuk ka mbrojtje, pavarësisht vendosjes së mijëra ushtarëve që kur qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në maj, në tre shtete në veri-lindje.

Që prej vitit 2010 e deri më sot, një numër i pacaktuar studentësh kanë mbetur të vrarë dhe disa dhjetëra shkolla janë djegur si pasojë e dhunës së ekstremistëve.

Grupi kryesor i tyre është i mirënjohuri Boko Haram, që konsiderohet një organizatë terroriste nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe qeveri të tjera perëndimore.

Vetëm në vitin 2012 nga aktet e dhunës të këtij grupi thuhet se janë vrarë mbi 600 persona.

Top Channel