Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, i është nënshtruar dializës së veshkave dhe ka hapur sytë teksa të tjerët i flisnin, ka bërë të ditur një burim me njohuri të sakta mbi situatën e tij shëndetësore, ditën e premte.
Mandela, i cili mbahet në jetë me ndihmën e makinerive, nuk është në gjendje vegjetative (i sapo kthyer nga gjendja e komës), deklaroi gjithashtu burimi në fjalë.
Ikona e anti-aparteidit është shtruar në spital prej gati 1 muaji, për shkak të problemeve të vazhdueshme me një infeksion në mushkëri.
I konsideruar si babai themelues i demokracisë së Afrikës së Jugut, Mandela u bë një figurë ndërkombëtare, teksa kaloi 27 vjet burgim për shkak se luftoi kundër aparteidit, sistemi i ndarjes racore të vendit.
Ai doli nga burgu në 1990-n dhe u bë i pari president me ngjyrë i vendit, 4 vjet më vonë. Problemet e tij me mushkëritë nisën gjatë viteve të burgimit, nën ish-regjimin afrikano-jugor të aparteidit.
Ai u shtrua në spitalin e Pretorias më 8 qershor dhe, prej atëherë, informacione të ndryshme mbi gjendjen e tij shëndetësore janë dhënë. Shëndeti i tij ra ndjeshëm gjatë javës së kaluar, aq sa familja e tij po konsideronte nxjerrjen e tij nga ndihma artificiale, përpara se kushtet e tij të përmirësoheshin, sipas një dokumenti të lëshuar nga gjykata ditën e enjte.
Dokumenti, i njohur si një certifikatë e urgjencës, u dorëzua nga familja e tij më 26 qershor, në një seancë gjyqësore për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi eshtrat e fëmijëve të tij.
Reagon kryepeshkopi për armiqësinë familjare
“Drama familjare është si një pështyrje në fytyrë ndaj Mandelës”
Kryepeshkopi i Afrikës së Jugut, Desmond Tutu, ka shprehur disa fjalë të zgjedhura në lidhje me armiqësinë familjare të Nelson Mandelës: Zgjidhni mosmarrëveshjet tuaja dhe ndalni njollosjen e emrit të ish-presidentit.
Tutu ndërhyri pas një mosmarrëveshjeje të hidhur mes të afërmve, mbi zhvarrosjen e 3 fëmijëve të vdekur të Mandelës. Nipi i tij i nxorri eshtrat nga Qunu, 2 vjet më parë, e më pas i varrosi ato në Mvezo.
Pjesa tjetër e familjes paditi nipin e Mandelës dhe një vendim gjykate urdhëroi atë të rikthejë eshtrat në Qunu, aty ku ish-presidenti kaloi fëmijërinë e tij. Ata u rivarrosën atje këtë javë.
Drama është bërë tashëm publike, teksa nipi Mandla Mandela fshikulloi të afërmit e tij gjatë një konference për shtyp.
Top Channel