Itali, drogë dhe armë nga Shqipëria

06/07/2013 00:00

Ka qenë i nevojshëm bashkëpunimi i komandave provinciale të Varezes, në veri të Italisë dhe të Leçes në jug të vendit, për të kryer një operacion antidrogë në Martinjano, në afërsi të bregdetit të Pulias.

Gjithësej u sekuestruan një ton e dyqind kilogramë marijuhanë dhe një sasi e konsiderueshme armësh të sjella nga Shqipëria. Rojet financiare kanë arrestuar dy shtetas italianë dhe dy shqiptarë që udhëtonin drejt veriut të vendit me një furgon.

Fillimisht drejtuesi i automjetit nuk i është bindur shenjës për ndalim, madje është përpjekur të godasë patrullën e rojeve financiare, por pa mundur t’i shpëtojë kapjes.

Në furgon u gjetën 900 kilogramë marijuhanë, dy pistoleta me silenciatorë, një mitroloz, pesë kallashnikovë dhe 400 plumba.

Në një zonë pyjore pranë pikës ku u kap furgoni u zbuluan edhe 300 kilogramë të tjera marijuahanë. Mendohet se kjo ishte pjesa tjetër e ngarkesës që do të shpërndahej më pas.

Tani po punohet për të zbuluar destinacionin e saktë të lëndës narkotike, por edhe i kësaj sasie armësh e municionesh që po udhëtonte drejt veriut të vendit.

Një ditë më parë, të paktën 43 persona, gati të gjithë shqiptarë, përfunduan në prangat e policisë italiane me akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe bashkëpunimit në aktivitete kriminale.

Të ardhurat e dy organizatave, të cilat ishin aktive në gjashtë rajone në veri të vendit fqinj, investoheshin në sektorin e pasurive të patundshme në Shqipëri dhe Itali.

Top Channel