Imperializmi, Morales kërcënon SHBA-të

06/07/2013 04:00

Presidenti bolivian, Evo Morales, ka paralajmëruar se mund të mbyllë Ambasadën amerikane në kryeqytetin La Paz, për të “mposhtur imperializmin amerikano-verior”, pasi avioni i tij, i nisur nga Moska, u detyrua të ulej në Vjenë për shkak të dyshimeve se në të gjendej edhe i arratisuri amerikan, Edward Snowden.

Morales akuzon Europën, duke e quajtur si një “agjent” të Shteteve të Bashkuara, pasi 5 shtete refuzuan të lejonin hyrjen e avionit të tij në hapësirat e tyre ajrore, teksa 5 liderë të vendeve të tjera amerikano-jugore u bashkuan me këtë kauzë, për të denoncuar “pengmarrjen virtuale” të tij.

Në një samit në Cochabamba të Bolivisë, presidenti venezuelian Nicolas Maduro tha: “Europa shkeli të gjitha ligjet e lojës. Jemi këtu për t’i thënë presidentit Evo Morales, se mund të mbështetet te ne. Kushdo që nis një betejë ndaj Bolivisë, e nis atë edhe kundër Venezuelës”.

Duke lëshuar një deklaratë, me atë të së cilës i kërkon shpjegime Francës, Portugalisë, Italisë dhe Spanjës, Morales tha i irrituar: “Duart e mia nuk do të dridhen, nëse mbyllim Ambasadën amerikane këtu. Pa SHBA-të, ne jemi akoma më të mirë politikisht dhe demokratikisht”.

Bolivia kishte mbledhur ambasadorët e Italisë, Spanjës dhe Francës, por edhe konsullin portugez, gjatë këtij samiti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA