Egjipt, 26 të vdekur, mbi 350 të plagosur

06/07/2013 00:00

Të paktën 26 persona kanë vdekur dhe mbi 350 të tjerë janë plagosur në aktet e dhunës të verifikuara të premten në Egjipt, bën të ditur media shtetërore, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë, sipas CNN.

Së shpejti pritet të shpallet zyrtarisht vendosja e shtetrrethimit. Zëra të pakonfirmuar sugjerojnë se forcat e armatosura do të shpërndajnë një komunikatë, në të cilën mund të vendosin shtetrrethimin për të reduktuar dhunën në të gjithë vendin.

Përkrahës dhe kundërshtarë të ish-presidentit të Egjiptit u përleshën mes tyre, disa orë pas vrasjes së tre protestuesve nga ushtria.

Përleshjet nisën, pasi një grup i madh i përkrahësve të Mohamed Morsit mbushën urën “6 tetori” mbi lumin Nil, duke iu drejtuar sheshit Tahrir, ku ishin mbledhur kundërshtarët e ish-presidentit të Egjiptit. Grupet rivale përdorën, fishekzjarret, gurët, shkopinjtë dhe shishet.

Më herët, Mohamed Badie, kreu i “Vllazërisë Muslimane”, u tha dhjetra mijëra përkrahësve të Morsit, jashtë xhamisë Raba al Adauija, se protestat do të vazhdojnë deri sa Morsi të rikthehet sërish në krye të vendit.

Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë ku e dënon me forcë dhunën e së premtes në Egjipt dhe i bëri thirrje të gjithë liderëve të ndalojnë çdo agresion të mëtejshëm.

I alarmuar nga dhuna neë Egjipt shprehet edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, në gjykimin e të cilit i takon popullit egjiptjan të përcaktojë rrugën që do të ndjekjë dhe ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Egjipt, islamikët protestojnë
Kundërshtojnë grushtin e shtetit, vriten 3 persona

Tre persona humbën jetën, pasi ushtria egjiptiane hapi zjarr kundër përkrahësve të ish-presidentit egjiptian në Kajro. Ngjarja ndodhi, pasi mbështetësit u mblodhën jashtë ndërtesës së Gardës së Presidentit, ku besohet se është izoluar Mohamed Morsi.

Ushtria egjiptiane, që rrëzoi nga pushteti ish-presidentin – pas protestave që u përhapën në të gjithë vendin – mohoi të ishin përdorur plumba të vërtetë kundër përkrahësve. Korrespondenti i BBC-së, Xheremi Bouen, që ndodhej në vendngjarje raportoi se ushtarët qëlluan kundër protestuesve.

Të pakten 2000 persona protestuan, pas lutjes të së premtes në afërsi të xhamisë Rabaa Al Adauija. Ndërsa rritej në numër, turma dukej gjithnjë e më e revoltuar dhe si kundërpërgjigje ushtarët hapën zjarr, së pari qëlluan në ajër e më pas i drejtuan armët përkrahësve.

Situatë e tensionuar u regjistrua edhe në qytete të tjera, në Qina në jug dhe Aleksandri.

Ndërkohë, lëvizja Tamarod u bëri thirrje të premten përkrahësve, të dalin në rrugë për të mbrojtur revolucionin. Lëvizja akuzon ish-presidentin dhe “Vllazërinë Muslimane”, së cilës i përket, se ata kanë një axhendë islamike kundër dëshirës së shumicës dhe se ajo dështoi për t’i bërë ballë problemeve ekonomike të vendit.

Morsi, presidenti i parë egjiptian i zgjedhur në mënyrë demokratike, është arrestuar. Bashkë me të, edhe figura të rëndësishme të “Vllazërisë Muslimane”. Mandat-arreste janë lëshuar për 300 anëtarët e saj.

Të premten, presidenti i ri Adly Mahmud Mansour shpërndau dhomën e lartë të parlamentit apo “Këshillin Shura”, i dominuar nga përkrahësit e Morsit, që ka kryer rolin e organit të vetëm legjislativ, pas shpërndarjes së dhomës së ulët vitin e kaluar.

Ai, gjithashtu, emëroi Mohamed Ahmed Farid, si shefin e ri të Shërbimeve Sekrete të Egjiptit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA