Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të konsideruara prej tij si rrugëdaljen e vetme nga kriza politike që ka mbërthyer vendin.
Sipas fjalëve të kreut të shtetit, të publikuara të shtunën në mediat bullgare, ai ishte i detyruar që të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve pasi thirrjet e mëparshme për dialog nuk janë përfillur prej palëve politike.
Bullgaria mbajti zgjedhje të parakohshme pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme të djathtë të kryeministrit Borisov në muajin prill.
Deklarata e Plevnelievit u kritikua ashpër nga mazhoranca në pushtet e qendrës së djathtë, e cila akuzoi presidentin për “shpërfilljen e vullnetit që populli shfaqi vetëm dy muaj më parë”.
Qeveria e re e kryesuar nga Plamen Oresharski është vendosur në qendër të kritikave popullore në muajt e fundit, për disa emërime të konsideruara korruptive dhe nepotike, në disa prej institucioneve kyç të vendit.
Qeveria e mëparshme e Borisovit u rrëzua në muajin prill për shkak të manifestimeve masive kundër korrupsionit dhe përkeqësimit të standartit të jetesës në vend, por duket se kryeministri i ri vazhdoi të përsëriste të njëjtat gabime.
Emërimi më i kontestuar është ai i Delyan Peevskit, pronari i një rrjeti gjigant mediatik në vend, në krye të Agjensisë së Sigurisë Kombëtare.
Për protesuesit, është e papranueshme që Peevskit t’i jepet akses në njohjen e sekreteve më konfidenciale të shtetit, çka do ta shndërronte atë potencialisht në njeriun më të pushtetshëm të vendit, duke i dhënë mundësinë që t’i bëjë shantazh përfshi politikanëve apo biznesmenëve të përfshirë në afera të dyshimta.
Peevski është pronar i televizionit me audiencën më të madhe në Bullgari dhe gjithashtu i një të përditshme me dhjetëra mijëra kopie tirazh në ditë.
Ndërkohë, Oresharski refuzoi që të japë dorëheqje nga posti që mban prej vetëm një muaji, në krye të një qeverie me bazë një koalicion të gjerë, të dalë nga zgjedhjet e majit.
“Kam bërë një gabim politik, për të cilin i kërkoj ndjesë jo vetëm Parlamentit, por edhe mijëra e mijëra bullgarëve që kanë dalë në rrugë për të protestuar. Këta njerëz kërkojnë dorëheqjen time dhe unë i kam dëgjuar këto thirrje, por nuk mund ta bëj diçka të tillë, pasi vendi do të zhytej në një krizë edhe më të thellë”, tha kryeministri.
Top Channel