Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar e sheh si të rëndësishëm miratimin e projektligjit për amnistinë, i cili nuk kaloi të enjten në Kuvend.

Përmes një komunikate për shtyp të lëshuar nga zyra e tij, zoti Zhbogar bën me dije se e ka ndjekur me interes të madh debatin parlamentar dhe votimin e ligjit për amnistinë.

”Bashkimi Evropian thekson rëndësinë e miratimit të ligjit për amnisti në mënyrë që të vazhdohet me implementimin e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thotë diplomati evropian.

Zhbogar shton më tej se i kupton shqetësimet e shprehura gjatë debatit parlamentar dhe se i vlerëson ato si një kontribut të rëndësishëm për versionin e përmirësuar të ligjit.

”Por ne presim nga të gjitha palët përgjegjëse që të jenë në gjendje të pajtohen për ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që të kalohet sa më shpejt një ligj i drejtë dhe transparent i amnistisë”, vijon Zhbogar në komunikatë.

Kuvendi i Kosovës rrëzoi një ditë më parë projektligjin për amnisti të sponzorizuar nga qeveria. Kjo erdhi falë votës kundër të dhjetë deputetëve të opozitës, të cilët siç duket ndërruan qëndrim në minutat e fundit.

Opozita, me përjashtim të Vetëvendosjes, në fillim të debatit u deklarua se do të votonte në parim projektligjin, me qëllim që ndryshimet do të bëheshin në komisionet përkatëse. Nga 80 vota, sa duheshin gjithsej, ky projektligj mori votën pro të 70 deputetëve (21 kundër e 2 abstenime).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA