
Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë Kosovën që të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit me Serbinë në Bruksel. Këtë mesazh e ka dhënë në Prishtinë zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker.
Reeker ka deklaruar se marrëveshja e ratifikuar ditë më parë në Kuvend sjell stabilitet, ndërkohë që ka kujtuar se ligji për amnistinë është pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
“Ratifikimi i marrëveshjes i sjell stabilitet rajonit dhe siç e kemi parë do ta dërgojë Kosovën në Evropën paqësore dhe të lirë. Ligji për amnisti është i rëndësishëm dhe është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit. Debati për ligjin ka treguar se ka disa njerëz që janë të keqinformuar, sepse disa media e kanë shtrembëruar se çfarë do të thotë ky ligj. Inkurajoj të gjithë që ta lexojnë dhe ta kuptojnë se ky ligj ka dalë nga dialogu dhe është arritur pajtimi për të në Bruksel, i mbështetur edhe nga ekspertiza e SHBA-ve dhe BE-së. Ju nxis që të tregoni atë seriozitet që Kosova e ka treguar në të kaluarën”, ka thënë Reeker.
Kurse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar se Kosova do të vazhdojë të respektojë axhendën për zbatimin e marrëveshjes. “Qeveria dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë duke respektuar në plotësi axhendën, por edhe në periudhat kohore të implementimit. Kjo marrëveshje është mirëpritur nga shumica e partive politike, qytetarët dhe po jep efektet e veta në implementim edhe në veri. Tani ka filluar implementimi në shumë segmente në veri, por mbetet edhe shumë për t’u bërë, por jam optimist se gjërat do të lëvizin në përputhje me axhendën tonë”, ka thënë Thaçi.
Gjatë së premtes zoti Reeker është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe me atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, në axhendën e zotit Reeker nuk ishte takimi me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit kundërshton dialogun dhe marrëveshjen e arritur me Serbinë, për të cilën organizoi edhe protestë për të penguar ratifikimin.
“Kllounët që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendojnë dy herë se çfarë po i bëjnë pjesës tjetër të vendit. Edhe qytetarët e Kosovës duhet të mendojnë rreth kësaj, sepse kjo sjellje është e papranueshme në shekullin 21-të në Evropë dhe rajon. Kjo porosi është e qartë. Ne kemi për t’u takuar me përfaqësuesit e Vetëvendosjes kur ata sillen mirë, si njerëz normalë, të zakonshëm në një botë me demokraci bashkëkohore dhe porositë e tyre të jenë konstruktive dhe ne atëherë do të angazhohemi në mënyrë të përshtatshme me ta. Mendoj se ajo çfarë kemi parë është një lloj sjelljeje për të cilën ata qëndrojnë dhe ne duhet ta anashkalojmë atë sjellje, të jemi seriozë dhe konstruktivë. Ata që e kundërshtojnë këtë proces i kundërshtojnë edhe SHBA-të”, ka theksuar Reeker.
Po ashtu, zyrtari amerikan, duke folur për përparimin në Ballkan tha se përfaqëson presidentin Obama në kremtimin e hyrjes së Kroacisë në BE, ndërsa me kërkesë të sekretarit Kerry, ai ka ardhur në Prishtinë dhe do të qëndrojë edhe në Beograd për të theksuar përkrahjen për përparimin e arritur, ndërsa shtoi se ka parë zgjedhje të suksesshme në Shqipëri.
Top Channel