Nishani emëron Bendon në Apel

05/07/2013 00:00

Presidenti i Republikës ka deklaruar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë,
se KLD-në në funksionimin e saj nuk e lidh asgjë me maxhorancat
politike.
Duke kërkuar pavarësi në KLD, Nishani tha se, ky Këshill solli modelin e
promovimeve të gjyqtarëve vetëm mbi bazën e vlerësimit.

“Në respekt të ekzistencës dhe funksionimit të institucioneve të pavarura, të pandikuara dhe të paintimiduara, në asnjë rast, në asnjë kënd duke ofruar atë çka ju personalisht bartni si personalitete të fushës, si njohës të mirë të funksionimit të trupës së gjyqtarëve, por edhe përgjegjësisë së madhe që keni para opinionit publik dhe para qytetarëve shqiptarë, përgjegjësi që vjen duke u rritur nga dita në ditë për të vendosur standarde që do të jenë të pakthyeshme në kohët dhe vitet e ardhshme”, tha Nishani.

Por ndërsa u fol për një proces vlerësimi model, disa prej gjyqtarëve që u emëruan në Gjykaten e Apelit Tiranë janë tepër të përfolur për shërbimet ndaj politikës. Marie Qiriazi ka qenë gjyqtare e Kolegjit Zgjedhor dhe mori akuza nga opozita e majtë për vendime të njëanshme gjatë zgjedhjeve vendore 2011, Ridvan Hado dhe Fatmira Hajdari për vendimin e dhënë për procesin gjyqësor të Gërdecit.

Agim Bendo është gjyqtari më i përfolur jo vetëm për vendimet nepotike dhe politike, por edhe për gjobën e famshme prej 400 mijë eurosh ndaj emisionit ‘Fiks Fare’ për rastin ‘Pango’. Në Apel, KLD ka miratuar edhe një anëtar të vetin, Ilir Mustafajn.

Dy emrat e tjerë që kaluan në Apel ishin edhe ato të Shkëlqim Mustafës, gjyqtari i Gjykatës Civile, i cili ka dhënë masa arresti për gardistët e ’21 janarit’, pavarësisht se ata u liruan më pas në Apel, dhe Ervin Metalla, kryetar i gjykatës së Durrësit.

KLD, skandal me magjistraturën

Por KLD nuk është mjaftuar vetëm me kalimin e gjithë listës së gjyqtarëve pa asnjë analizë dhe asnjë debat. Një tjetër vendim shumë i dyshimtë dhe me prapavijë politike ka qenë edhe ai për shkarkimin si anëtar i bordit në Shkollën e Magjistraturës i gjyqtarit të Krimeve të Rënda në Apel, Sokol Binaj dhe emërimin në vend të tij të Gjin Gjonit, që duket se me emërimin në KLD karriera e tij gjyqësore, pavarësisht polemikave që e kanë shoqëruar, ka marrë për lart.

Gjyqtarit Binaj i mbaronte mandati në vitin 2014, ndërkohë që “justifikimi” për ta hequr nga bordi ishte me argumentin se kishte humbur besimin e KLD-së. Por përse është ky vendim dhe çfarë pritet të ndodhë? Si është ky vendim i lidhur me politikën? Nga investigimi që Top Channel bëri rezulton se shkarkimi i Binajt nga bordi bëhet për të tjera arsye nga ato zyrtaret.

Në datën 10 korrik pritet të mblidhet Bordi i Magjistraturës për të diskutuar për kreun e kësaj shkolle, në një kohë kur në mbledhjen e mëparshme bordi nuk kishte mundur të shkarkonte dot Marjana Seminin nga drejtimi i kësaj shkolle. Zonja Semini kishte mundur të qëndronte në detyrë me 7 vota pro dhe gjashtë kundër saj. Mes votave pro ka qenë edhe gjyqtari Binaj, por me emërimin anëtar të KLD-së Gjin Gjonin, raporti i votave përmbyset.

Tani, një ndër kandidatët kryesorë për të zënë vendin e saj në shkollën ku përgatiten gjyqtarët e prokurorët e ardhshëm, dhe ku ndjekin trajnimet vazhduese stafet aktuale është një ndër anëtarët aktualë në KLD, zoti Neshat Fana, i njohur për lidhjet e tij me kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, duke qenë se ka shërbyer si avokat i tij në shumë procese gjyqësore. 

Top Channel