“Le Monde”: Edhe Franca mbikqyr të dhënat

05/07/2013 03:20

Shërbimi i jashtëm i zbulimit në Francë përgjon të dhëna kompjuterike dhe telefonike në një shkallë të gjerë, ashtu si dhe programi kontrovers amerikan “Prism”, bëhet e ditur nga e përditshmja franceze “Le Monde”.

Të dhënat regjistrohen në një superkompjuter në selinë e shërbimit sekret DGSE, njofton gazeta. Operacioni është “i jashtëligjshëm dhe përtej çdo mbikqyrjeje të duhur”, thotë “Le Monde”. Edhe agjenci të tjera sekrete franceze dyshohen se aksesojnë të dhëna sekrete.

Gjithsesi, nuk është e qartë nëse survejimi i DGSE shkon po aq larg sa “Prism”, teksa deri më tani zyrtarët francezë ende nuk kanë komentuar mbi akuzat e “Le Monde”.

DGSE dyshohet se analizon metadatën, më saktësisht jo përmbajtjen e email-eve apo komunikimeve të tjera, por të dhënat që zbulojnë se cili po flet me kë, kur dhe ku. Lidhjet brenda Francës dhe ato mes Francës e shteteve të tjera janë të gjitha të monitoruara, raporton “Le Monde”.

Gazeta akuzon se të dhënat regjistrohen në 3 katet përdhese të ndërtesës së DGSE-së në Paris. Shërbimi sekret në fjalë është ekuivalenti francez i shërbimit sekret britanik MI6.

Operacioni është dizenjuar – sipas ekspertëve – për të zbuluar qelizat terroriste. Por, shkalla e shtrirjes së tij nënkupton se “kushdo mund të përgjohet dhe kurdo”, thotë “Le Monde”.

Ka pasur një bujë të madhe ndërkombëtare, pas zbulimit se SHBA-të përgjojnë sistematikisht sasi të mëdha të dhënash telefonike dhe elektronike. Qeveria franceze ka kritikuar ashpër spiunazhin amerikan, që akuzohet se përfshin edhe përgjime ndaj komunikimeve mes zyrtarëve të BE-së.

Pas NSA (në SHBA) dhe GCHQ (në Britani), DGSE është i treti në radhën e problematikës së përgjimeve mbarë botërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA