Partia kryesore e opozitës franceze, e djathta e “UMP”, pësoi një goditje të rëndë financiare, pasi një auditim shtetëror tregoi se kjo forcë duhet t’i rikthejë shtetit 11 milionë euro në mënyrë të menjëhershme.
Këto para duhet të kthehen pasi ish-presidenti Nicolas Sarkozy tejkaloi me 466 mijë euro kufirin ligjor për financimin e fushatës së tij presidenciale, në vitin 2012.
Sipas Këshillit Kushtetues, i cili mbikqyr edhe mosmarrëveshjet zgjedhore, Sarkozy kishte shfrytëzuar në fushatë më shumë fonde nga ato që i takojnë prej buxhetit të shtetit.
Sarkozy, i cili në cilësinë e ish-presidentit ishte automatikisht anëtar i Këshillit Kushtetues, paraqiti dorëheqjen e tij në formë proteste.
Ndërkohë, ish-presidenti është vendosur në qendër të vëmendjes edhe për disa fonde të paligjshme, që është akuzuar se ka pranuar për fushatën e tij nga ish-diktatori i Libisë, Muammar Gaddafi.
Për të siguruar barazinë në fushatë, fondet për partitë ndahen në mënyrë të barabartë dhe proporcionale mes kampeve nga buxheti i shtetit, ndërsa donacionet dhe subvencionet e jashtme janë të ndaluara.
Top Channel