“Do të thotë, artikulli 3 ka qenë i diskutueshëm dhe është hequr. Artikulli 5, që përfshin veriun, nuk ka pasur kritika dje. Kemi vendosur që të proçedojmë me një shqyrtim të ri të projektligjit për amnistinë”.
Me këto fjalë të kryeministrit Hashim Thaçi, projektiligji për amnistinë, i cili nuk u votua të enjten, shkon edhe një herë në Kuvend, pas vendimit të marrë gjatë mbledhje së qeverisë ditën e premte.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi shtoi se përveç heqjes së nenit tre, projektligji i ndryshuar do të theksojë se nuk do të ketë amnisti për veprat penale me lëndime trupore apo vrasje.
Ndryshimet në projektligj janë bërë në konsultim me dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas ministrit të Drejtësisë, Kuçi, projektligji me ndryshimet e bëra do të hidhet në votim javën që vjen.
“Pas konsultimit me kryeministrin jemi pajtuar që nenin 3 ta heqim nga ky projektligji. Po ashtu do të shtojmë që të gjitha veprat penale që kanë rezultuar me lëndime trupore dhe me vrasje nuk do të amnistohen. Në bazë të diskutimit edhe me Kuvendin e Kosovës duket që me nenin 5 jemi pajtuar, që ka të bëjë kryesisht me rezultatin e marrëveshjes që kemi arritur në Bruksel. Po ashtu, dua të them që sot, edhe me LDK-në dhe AAK-në, jemi pajtuar që ky projektligj të proçedohet në Kuvend dhe javën e ardhshme të miratohet”, deklaroi Kuçi.
Ndërkohë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, nëpërmjet një komunikate kërkoi miratimin e projektligjit të amnistisë në mënyrë që të vazhdojë zbatimi i marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Top Channel