Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Philip Reeker ka
deklaruar se ekziston vullneti që deri në dhjetor të zbatohen të gjitha
aspektet e marrëveshjes së arritur në dialogun ndërmjet Beogradit e
Prishtinës.

“Mendojmë se është e mundur që e gjithë kjo të bëhet gjatë këtij viti. Kjo do të dëshmojë lidership, angazhim dhe përkushtim serioz. Është e domosdoshme të bëhet më shumë, prandaj duhet një angazhim konstant”, ka thënë Reeker.

Në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, zyrtari i DASH ka saktësuar se nga Serbia nuk pritet që ajo ta njohë Kosovën. ”Këshilli i Evropës i ka paraqitur qartë kushtet që Serbia dhe Kosova duhet të plotësojnë në mënyrë që të përparojnë në rrugën evropiane”, ka nënvizuar Reeker.

“Ne jemi të vetëdijshëm se zbatimi është gjithmonë pjesa më e vështirë e punës, por vlerësojmë se është e mundur që objektivat të arrihen”, ka vijuar ai.

Duke theksuar se SHBA e kanë njohur Kosovën, ashtu si dhe rreth 100 shtete të tjera në botë, Reeker ka kujtuar vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia e Kosovës është legale.

“Kjo është pikëpamja jonë dhe e kuptojmë se ekzistojnë edhe interpretime ndryshe. Sikurse e dini, çështja e njohjes nuk është pjesë e dialogut dhe nga Serbia nuk pritet një gjë e tillë. Në vend të kësaj, dialogu është përqendruar në normalizimin e marrëdhënieve, konkretisht në problemet e përditshme që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë Reeker.

Diplomati i lartë amerikan, i cili para çdo raundi të dialogut ka zhvilluar takime me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç dhe atë të Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se pas një viti po sheh arritje të mëdha.

”Meritat e mëdha mund t’i atribuohen udhëheqjes së Beogradit dhe Prishtinës, por edhe qytetarëve të cilët si votues kanë kërkuar nga udhëheqësit që ta bëjnë këtë. E kuptojmë se sa e vështirë është të bëhen të gjitha këto gjëra, por për një vit mund të shohim se diçka është bërë”, ka shtuar Reeker për të përditshmen serbe.

Intervista është publikuar në numrin e fundit të “Politika”, pikërisht në prag të vizitës së zotit Reeker në rajon, në kuadër të të cilës të enjten do të ndalet në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me autoritetet më të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Thaçi dhe presidenten Atifete Jahjaga.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta