Shpikësi i “mouse”-t të kompjuterit, Doug Engelbart, ndërron jetë në moshën 88-vjeçare. Engelbart zhvilloi pajisjen në vitet ’60 si një bërthamë druri që mbulonte dy rrota metalike, kohë më parë se sa të përdorej si “miu” i njohur sot nga të gjithë.
Ai punoi gjithashtu në mishërimet e para të email-it, përpunimit të tekstit dhe video e telekonferencave në institutin kërkimor të Kalifornisë. Muzeumi Historik i Kompjuterave i këtij shteti u njoftua për vdekjen e tij nga e bija, Christina, përmes një email-i.
Babai i saj kishte kohë që vuante nga ana shëndetësore, teksa u nda nga jeta paqësisht natën e së martës, gjatë kohës që flinte. Doug Engelbart u lind më 30 janar 1925 në Portland të Oregonit, nga një baba, riparues radiosh, dhe një nënë shtëpiake.
Ai studioi për inxhinieri elektrike në Universitetin e shtetit të Oregonit, si dhe shërbeu si teknik radari gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më pas, ai punoi te paraardhësi i NASA-s, NACA, si një inxhinier elektrik, por shumë shpejt e la atë për të ndjekur doktoraturën në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley.
Top Channel