Kuvendi i Kosovës rrëzon projektligjin për amnisti të sponzorizuar nga qeveria. Kjo erdhi falë votës kundër të dhjetë deputetëve të opozitës, të cilët siç duket ndërruan qëndrim në minutat e fundit.

Opozita, me përjashtim të Vetëvendosjes, në fillim të debatit u deklarua se do të votonte në parim projektligjin, me qëllim që ndryshimet do të bëheshin në komisionet përkatëse. Nga 80 vota, sa duheshin gjithsej, ky projektligj mori votën pro të 70 deputetëve (21 kundër e 2 abstenime).

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i nxitur nga kritikat e ashpra që i janë bërë, u tërhoq fillimisht nga neni 3 i projektligjit. Ky nen parasheh dhënien e amnistisë për shumë vepra penale të cilësuara si ordinere, ku hyjnë vrasja e çastit, vrasja nga pakujdesia, haraçi, shpifja, krime të ndryshme ekonomike, e dhjetëra vepra të tjera.

Ishte kjo pika, ku deputetët e opozitës kritikuan qeverinë se ka dashur t’i falë edhe zyrtarët nga radhët e veta, të cilët – në një formë apo tjetër – kanë shkelur ligjin. I padiskutueshëm, ndërkaq, mbetet neni 5. Ky nen parasheh dhënien e amnistisë për qytetarët e veriut, të cilët për 14 vjet kanë cënuar rendin kushtetues të Kosovës.

“Në anën tjetër, a po mundohet të krijojë në të njëjtën kohë një dakordësi të Kosovës, përmes një regjistri të pakontrolluar të amnistimit të krimeve, edhe kjo mbetet me pikëpyetje. Pra, nuk është punë diferencimi, siç po thuhet këtu se s’duhet të diferencojmë kombësi, krahina e etni, vetvetiu gama që po nxjerr ligji dhe diskutimi i tij, po i nxjerr hapur këto dy probleme”, u shpreh Sabri Hamiti, deputet i LDK-së.

“Kategoria e dytë janë strukturat ilegale, armiqësore e kriminale të Serbisë dhe kategoria e tretë janë protagonistët e aferës “Pronto” dhe anëtarët e tjerë të klanit kriminal të tyre. Këto tri kategori janë marrë vesh për t’i falur krimet e shumta kundër Kosovës, kundër Republikës së shtetit të Kosovës, kundër popullit të Kosovës, kundër të drejtave, pasurisë e interesave të qytetarëve të Kosovës”, tha Albin Kurti, kryetar i VV-së.

“Neni 3, të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, është i diskutueshëm dhe i debatueshëm. Nenin 3 edhe mund ta hiqni sot. Po e them në emër të qeverisë së Republikës së Kosovës, se asnjë dhimbje për asnjë nen, përfshi nenin 3, nuk e kemi. Vetëm të mendojmë ndjenjën humaniste ndaj qytetarëve të tjerë. Edhe sikur unë ta kisha sjellë vetëm nenin 5 në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju do kishit thënë pse ke bërë vetëm për veriun. Unë kam bërë një balancë politike e etnike. Urdhëroni, të veprojmë më tutje”, deklaroi Hajredin Kuçi, zv/kryeministër dhe ministër i Drejtësisë.

“Ka qenë problem t’i kuptojmë disa klasifikime, sikurse janë falja e veprave penale, që lidhen me profilin joproporcional, për shembull, që do të thotë se ata njerëz, që kanë përfituar nga mundi i dikujt tjetër, që dikush ka qejf t’i quajë fajde haraç nga kjo anë, ndaj dhe ne kemi kërkuar që kjo pjesë të mos jetë aty”, shtoi Ardian Gjini, deputet i AAK-së.

Projektligji për amnistinë është pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi, por për shkak të përmbajtjes që kishte, ai është kundërshtuar ashpër edhe nga shumica e organizatave, që përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA