Në Bruksel janë përmbyllur me sukses bisedimet e grupit punues për zgjedhjet, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kështu njofton zyra për informim e Qeverisë së Kosovës, ku në axhendë të këtyre takimeve ishte edhe përcaktimi i rolit lehtësues të OSBE-së në katër komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve është arritur në konkluzionin që ky rol lehtësues do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje teknike në mes të Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës dhe OSBE-së që pritet të nënshkruhet së shpejti.
Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 3 nëntor të këtij viti, ndërsa sipas zyrës për informim të Qeverisë së Kosovës “të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve do të ndërmerren nga KQZ, siç është lista e votuesve, regjistrimi dhe certifikimi i partive politike, akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve, kodin e mirësjelljes së subjekteve politike, kandidatëve të tyre dhe mbështetësve, procedurat e votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve, etj”.
Top Channel