Gjithëpërfshirja politike si domosdoshmëri në realizimin e reformave thelbësore për afrimin e mëtejshëm të vendit me Bashkimin Evropian ishte në qendër të bisedës mes ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta.

“Në fakt mbeta veçanërisht i kënaqur nga përdorimi i një fjale e cila ishte fjala ‘gjithëpërfshirje’ dhe që është një fjalë kyçe, sepse procesi i intergrimit në Bashkimin Evropian është një proces i cili përfshin të gjithë vendin. Të gjitha mundësitë janë aty për Shqipërinë që të merret statusi i vendit kandidat. Ne kemi besim që kjo do të jetë e mundur edhe në saj të këtij angazhimi të ri”, deklaroi Sequi pas takimit.

“Pavarësisht nga kjo mazhorancë prej 84 votash, absolutisht për çështje të rëndësishme nuk do të mjaftonte thjesht një votim i bazuar mbi numrat, por mbi një konsensus sa më të gjerë në bashkëpunim me opozitën. Ky do jetë vullneti ynë në të ardhmen dhe shpresojmë se do të tregojmë një filozofi të re të mazhorancës, të cilën e presim edhe nga opozita”, tha Meta nga ana e tij.

Kreu i LSI-së theksoi gjithashtu se në këtë proces reformash do të përfshihet edhe shoqëria civile, grupet e interesit, qarqet akademike, etj, që këto reforma, siç ai tha, të fitojnë një ritëm më të lartë.

Një ditë më parë, ambasadori Sequi zhvilloi një takim me kryeministrin në ardhje të vendit, Edi Rama, me të cilin, siç tha ai, diskutoi për axhendën evropiane të Shqipërisë.

“Diskutuam për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe sfidat që ka vendi përpara. Diskutuam edhe për faktin se axhenda evropiane është në qendër të axhendës qeveritare. I theksova zotit Rama mbështetjen e BE-së për të vënë në zbatim këtë axhendë”, deklaroi Sequi pas takimit. 

Top Channel