
Pas Sokol Olldashit, as Lulzim Basha nuk zhgënjeu pritshmëritë publike dhe shpalli kandidimin për të drejtuar Partinë Demorkatike, nga i njëjti vend prej të cilit Sali Berisha shpalli dorëheqjen një javë më parë.
Këtë detaj, zoti Basha e kishte përfshirë në paragrafin e parë të fjalimit të tij. Një fjalim që ndryshonte me atë të rivalit Sokol Olldashi jo vetëm për nga kohëzgjatja, por edhe për nga përmbajtja. Dy rivalët kishin të përbashkët vetëm mënyren sesi shpallën kandidimin.
“Pas një reflektimi të gjatë, pas mijëra mesazheve të anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike dhe pas një bisede me kryeministrin Berisha jam sot para jush për t’ju komunikuar një nga vendimet më të vështira dhe të kthjellëta të jetës sime. Vendimin për të kandiduar për kryetar të Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.
Pjesa tjetër e fjalimit të Lulzim Bashës ndryshonte tërësisht nga ai i Sokol Olldashit. Nëse zoti Olldashi theksoi si përparësi të tij në kandidim të kaluarën e tij si pjesë e Partisë Demokratike, që nga themelimi dhe gjatë opozitës së saj, Lulzim Basha bëri kauzë të tijën Fillimin e Ri, të shpallur nga Sali Berisha kur mori të gjithë përgjegjësine për humbjen dhe deklaroi dorëheqjen.
“Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishën, ai është lideri ynë historik dhe burim i pashtershëm force, energjie dhe krenarie për çdo demokrat. Ai është më shumë se një simbol, vetë ndërgjegjia e Partisë Demokratike. Por misioni i lirisë dhe Shqipërisë së zhvilluar europiane nuk duhet të ndalojë për asnjë moment. Ndaj sot, i vetëdijshem per trashëgiminë tonë të vyer, plot bindje në vlerat e të sotmes ju ftoj të ecim së bashku drejt projektit të së ardhmes tonë, drejt Fillimit të Ri, projektit të ringritjes dhe fitores”, u shpreh Basha.
Lulzim Basha, i afruar në Partinë Demokratike në vitin 2005, nuk ka përvojë opozitare, por në fjalimin e tij programatik ai u tha demokratëve se do ta ndërtojë opozitën duke dëgjuar zërin e çdo anëtari të Partisë Demokratike, të çdo qëndrestari gjatë opozitës së kaluar dhe veçanërisht tek lidershipi aktual, të cilëve u dërgoi një mesazh bashkimi.
“Në projektin tonë të Fillimit të Ri, Partia Demokratike duhet dhe do të mbështetet fort tek ju, anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite. Burra dhe gra gjigantë në kontribute dhe sakrifica, modestë dhe të heshtur në kërkesa dhe përfitime. Do të mbështetem tek përvoja e çmuar e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike sot dhe ndër vite. Do të mbeshtetem tek lidershipi historik i Sali Berishës, që është një pasuri e paçmueshme për Partinë Demokratike dhe projektin tonë të Fillimit të Ri”, theksoi Basha.
Në fjalimin programatik si kandidat për kreun e Partisë Demokratike, Basha përfshiu angazhimin për ribashkimin e së djathtës në opozitë me pushtetin, garancitë e opozitës së re për të bashkëpunuar për reformat e integrimit europian të vendit, si dhe një pikë që ai e konsideron të fortë, aksesin në kancelaritë perëndimore.
“Unë do të punoj fort që Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar dhe gjithë potenciali i saj njerëzor të angazhohen në një opozitë të fortë, gardiane e pakompromistë e interesit publik. Ne do të vigjilojmë me vendosmëri dhe pa asnjë lëshim për mbrojtjen e shtetit ligjor, institucioneve dhe administratës publike nga arbitrariteti dhe abuzimi me pushtetin. Zëri ynë duhet dhe do të dëgjohet kumbueshëm me fakte dhe argumenta në çdo kancelari të Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe në çdo zyrë të miqve dhe partnerëve tanë në Uashington. Dhe mbështetja e miqve tanë nuk do të mungojë, jam i bindur, si gjatë përpjekjes tonë opozitare ashtu dhe kur projekti ynë të kurorëzohet me rikthimin tonë si mazhorancë zyrtare”, theksoi Basha.
Për koinçidencë, Basha hyn në garën për kreun e Partisë Demokratike nga pozita të ngjashme me ato të Edi Ramës kur mori drejtimin e Partisë Socialiste si kryetar i bashkisë së Tiranës dhe u akuzua prej demokratëve për braktisje të qytetarëve të Tiranës. Sot, Lulzim Bashës i duhet të përballet me këtë realitet të përmbysur.
“Vetëm 2 vjet më parë, të bashkuar dhe me kontributin e gjithësecilit, ne fituam betejën për Tiranën. Me këtë rast dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës se përkushtimi im për të përmbushur çdo detyrim ndaj tyre dhe çdo premtim të bërë nuk do të mungojë për asnjë çast”, tha Basha.
Lulzim Basha kishte edhe një mesazh të fundit për të dhënë. Atë më të rëndësishmin për demokratët, të cilët sipas tij, gara duhet t’i çojë drejt bashkimit dhe jo drejt përçarjes.
“Çdokush që e sheh këtë garë si një mundësi për të goditur, përbaltur dhe përçarë duhet që nga ky moment të llogarisë kundërshtimin tim të fortë dhe të prerë. Negativizmi nuk ka vend në këtë garë. Sepse, ndonëse e rëndësishme, kjo garë nuk është qëllim në vetvete. Qëllimi i madh është ringritja e Partisë Demokratike dhe fitorja e ardhshme. Zoti na ndihmoftë! Zoti e bekoftë Shqiperinë dhe shqiptarët kudo që janë!”, e mbylli fjalimin zoti Basha.
Top Channel